Ujë me pikatore, deri në 2015
06/01/2005 Ministria e Turizmit i ka realizuar 99 për qind investimet në sektorin e ujësjellësave, duke bërë të mundur që qytetet e mëdha të furnizohen mbi katër orë me ujë. Por dhe sikur të realizojnë 100 për qind investimet në sektorin e ujit, deri në 2015-ën, sërish shqiptarët do të marrin ujë me orar. Për të patur ujë 24 orë në shtëpitë e tyre si gjithë vendet fqinje, duhet që qeveria të sigurojë 240 milionë lekë investime. Sigurimi i ujit të pijshëm për 90 për qind të shqiptarëve deri në 2015-ën është një nga objektivat më të vështirë për t’u arritur dhe qeveria ka pranuar se dështimi në këtë sektor ka ardhur si pasojë e mungesës së investimeve që ka shkaktuar një krizë të rëndë në vitet e fundit, duke e kthyer ujin në çështjen më emergjente për shqiptarët. Mes shumë halleve që duhet të zgjidhen, për të mos qenë më të varfërit e botës, shqiptarët duhet të kenë të sigurt deri në 2015-ën dhe ujin e pijshëm. Edhe pse është elementare, kjo çështje rëndon mbi qeverinë, e cila deri më sot ka bërë investime modeste, duke qenë dhe përgjegjësja kryesore për krizën e rëndë të ujit, që prek çdo vit vendin. “Duke u bazuar në parashikimet për numrin e popullsisë dhe koston e investimeve për frymë, nevoja për gjithë periudhën shtesë, për gjithë periudhën 11-vjeçare 2001–2015, është 87 milionë dollarë, në mënyrë që të sigurohet furnizimi me ujë të pijshëm”, kanë bërë të njohur specialistët e këtij sektori gjatë prezantimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit. Vlerësimi i burimeve shtesë që nevojiten për të bërë furnizimin e popullisë që jeton në zonat rurale dhe urbane me ujë të pastër dhe të mjaftueshëm, duket se është një ushtrim shumë problematik, për shkak të cilësisë së ulët të të dhënave. Sipas specialistëve, bëhet më e ndërlikuar nga nevoja për të analizuar veçmas kostot e investimeve të reja dhe kostot e rehabilitimit. Gjithnjë duke u mbështetur në mendimet e specialistëve që kanë kryer studimin, kjo shifër përfaqëson vetëm diferencën mes kostos totale të kërkuar prej 240 milionë dollarësh dhe nivelit aktual të burimeve, që ka të ngjarë të jepen duke u bazuar në tendencat e të shkuarës prej 153 milionë dollarësh. Fondi shtesë për investime në sektorin e ujit është kërkuar duke patur parasysh dhe ritmet e rritjes së popullsisë, që, sipas të dhënave shtohet me 1.2 për qind në vit. Sipas specialistëve, janë të shumtë faktorët që përcaktojnë masën e burimeve që nevojiten dhe efektivitetin e tyre në rritjen e furnizimit me ujë të mjaftueshëm. Nevojat urgjente për investime, nevoja për të rritur kapacitetin dhe çdo burim shtesë, kanë qenë arsyet e kërkesës emergjente për sigurime. Ndërkaq, në Konferencën për Objektivat e Mijëvjeçarit, mes të cilave është folur dhe për sigurimin e ujit të pijshëm, është bërë e qartë se praktika e ndjekur deri tani për tërheqjen e investimeve të huaja në formën e koncensioneve, nuk duket si perspektivë realiste për Shqipërinë. “Pjesa dërmuese e financimit për sektorin e ujit do të vijë nga sektori publik, qeveria qendrore dhe lokale si dhe fondet publike, qofshin ato vendase ose financime të huaja zyrtare dhe financimet private, për sa i përket kontributit të komunitetit janë llogaritur që të zenë rreth 5 për qind të totalit të financimit”, thuhet në Raportin e përgatitur për Konferencën mbi Objektivat e Mijëvjeçarit.