Ekspertizat, asnjë përfundim per Tropojen
06/01/2005 Asnjë përfundim i saktë nuk është arritur për ngjarjen, e cila ndodhi në Tropojë pak ditë më parë, kur një makinë tip “Golf” shpërtheu në qendër të qytetit të Bajram Currit, duke shkaktuar vdekjen e dy personave që ndodheshin në makinë dhe plagosjen e tre kalimtarëve të tjerë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë se kanë mbajtur komunikim të rregullt me Prokurorinë dhe policinë e qytetit të Bajram Currit. Sipas këtyre komunikimeve, ekspertizat nuk kanë arritur ende asnjë rezultat. “Nëse ekspertizat e vendit të ngjarjes dhe provave të tjera, vërtetojnë se shpërthimi ka ardhur nga një autobombë, atëherë hetimi do të kryhet nga Krimet e Rënda, pasi përbën atentat të organizuar. Por, nëse hetimi vërteton se shpërthimi është pasojë e karburantit apo problemeve të makinës, atëherë ngjarja do të hetohet nga policia dhe Prokuroria e Tropojës”, thanë dje burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas tyre, deri dje nuk ka patur asnjë përfundim apo rezultat konkret në përcaktimin e shkaqeve të ngjarjes, ndaj hetimi ka mbetur në Tropojë.