E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PS akuzon mazhorancën për përdorimin e administratës në aktivitetet elektorale

Rama: Unë kryeministër i të gjithëve, Berisha kryeministri i oborrit familjar
Kreu i socialistëve Edi Rama, ka akuzuar mazhorancën e djathtë për përdorim të administratës shtetërore në aktivitetet elektorale, duke ndaluar akuzat e drejtpërdrejta tek drejtuesit kryesorë të saj. Ndërsa u kërkoi qytetarëve që më 28 qershor të ndalin drejtimin e Berishës, i cili kërkon votën në emër të biznesit. Në turin zgjedhor në Veri-Lindje të vendit, për prezantimin e kandidatëve dhe programit qeverisës, kryetari i PS-së, Edi Rama u ndal në qytetin e Peshkopisë. Gjatë këtij tubimi kryetari i Partisë Socialiste ka akuzuar mazhorancën se po përdor administratën për qëllime elektorale, duke premtuar se politika e re që ai përfaqëson do të jetë për njerëzit dhe pranë tyre. Një shtet, i cili nuk i jep të gjithëve njësoj punë, ujë, drita, siguri, shpresë dhe perspektivë nuk është një shtet që mund të vazhdojë të jetojë pas 28 qershorit. Ndaj ne në 28 qershor do të marrim mbrapsht shtetin tonë, shtetin e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, u shpreh Rama. Në këtë drejtim, ai theksoi se një shtet, i cili terrorizon arsimtarët dhe nëpunësit e një administrate që tashmë është marrë peng, ky nuk është shteti i qytetarëve që meritojnë një Shqipëri si e gjithë Europa. Në ndalesën e radhës, në qytetin e Peshkopisë, Rama u premtoi shqiptarëve në këtë fushatë zgjedhore, kur kanë mbetur edhe pak më shumë se dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, se do të jetë kryeministri i gjithë shqiptarëve, ndryshe nga Sali Berisha që sipas tij, kërkon të jetë kryeministri i oborrit të tij korruptiv familjar. Berisha ua kërkon votën e vetme që ju keni për të vetmen arsye, se ka një biznes për të mbajtur dhe për të vazhduar edhe katër vjet të tjera këtë shfaqje të shëmtuar. Unë nuk do të jem kryeministri i një qeverie që bën biznes për një familje të vetme dhe ndan pasuritë e vendit me klientët e pushtetit të familjes kryeministrore. Unë do të jem thjesht kryeministri juaj, as për tu treguar pse duhet të jeni të lumtur me Shqipërinë që e ble një euro familja ime, klientët e pushtetit të saj dhe shërbëtorët e qeverise time, siç bën Sali Berisha, vijoi Rama.Duke iu drejtuar banorëve të Dibrës, ai theksoi se politikanë të tjerë ia kërkojnë votën për të mbajtur peng qeverinë, dhe për të vazhduar me shfaqje të shëmtuara që sipas tij luhen në parlamentin tonë. Ata ju kërkojnë të vetmen votë për një deputet të vetëm që na nxjerr pastaj nga mandati i marrë nga ju në pazarin e vjetër të numrave dhe interesave personale, për ta mbajtur peng qeverinë tuaj, për ta mbajtur peng Shqipërinë dhe për të vazhduar edhe 4 vite të tjera atë shfaqe të shëmtuar që kemi 18 vite që e shohim të luhet në parlamentin tonë që pas 28 qershorit nuk duhet të jetë më parlamenti i një grushti njerëzish, por parlamenti i qytetarëve të Shqipërisë , theksoi Rama në fjalën e tij drejtuar banorëve të Dibrës. Ashtu si edhe në Kukës, ai preku sërish ashtu premtimin e socialistëve për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, një aks i rëndësishëm për zhvillimin e kësaj zone, që sipas tij deri tani, ka mbetur vetëm premtim në letër në çdo fushatë. Edi Rama deklaroi në Peshkopi se rruga e Arbrit do përfundojë nën qeverisjen e Partisë Socialiste, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërkohë që janë demokratët, ata të cilët kanë filluar ndërtimin e saj. Rruga e Arbrit, të cilën sot Sali Berisha e premton për të 18-tën vit rresht, po jemi ne që do ta ndërtojmë, tha Edi Rama. Ndërsa në qytetin e Kukësit, duke folur për punën e keqe të bërë nga qeveritë paraardhëse, Rama është përqendruar edhe tek rruga Durrës-Kukës dhe akuzat e mazhorancës, sipas së cilës, Rama ka frikë ta vizitojë këtë projekt. Kreu i opozitës nuk është supervizor. E kam përshëndetur rrugën Durrës-Kukës, por nuk pajtohem me veprimet e Berishës. Ai thotë: gëzojuni rrugës Durrës-Kukës dhe pranoni korrupsionin, deklaroi shefi i opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›