Mëhilli: Islami nuk mund ta manipulojë publikun për listat
Partia Demokratike hedh poshtë deklaratat e Islamit për çështjen e listave, duke i cilësuar ato të pavërteta dhe që kanë qëllim të manipulojnë opinioni publik. Zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli, shprehet se Partia Demokratike është e hapur dhe mbështet çdo deklaratë e cila ndihmon në përmirësimin dhe mbarëvajtjen e procesit te zgjedhjeve, por nuk mund të pranojë që opinioni publik të manipulohet dhe të mashtrohet nga deklarata të tilla të pabaza.
Gjithashtu, Mëhilli sqaron se disa media të shkruara dhe vizive, kanë publikuar një lajm në të cilin pretendohet që një person në Korçë ka marrë një certifikatë false në zyrat e PD për tu pajisur me pas me letër njoftimet e reja. Sipas saj, lidhur me këtë ngjarje, policia e shtetit përmes një deklarate për Median, e cila i është dërguar dhe misionit të OSBE - ODIHR sqaron se policia ndaloi shtetasin Edmond Frashëri i cili deklaroi se këtë certifikatë ia ka dhënë punonjësja e zyrës së Gjendjes civile në Bashkinë e Korçës (përfaqësuese e PS), Violeta Qirinxhi për të cilën është bërë kallëzim penal në prokurorinë Korçë. Sikundër dje Kastriot Islami deklaroi se në listat e zgjedhësve ekziston shtetasja Shqype Hasibra, e cila është 159 vjeç. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme e sqaroi këtë deklaratë duke thënë se për sa kohë një shtetas nuk është deklaruar i vdekur nga familjarët e tij, siç e parashikon ligji, askush nuk mundet të fshihet nga Regjistri Kombëtar i Shtetasve. Gjithsesi Ministria e Brendshme verifikoi rastin dhe rezultoi se kjo shtetase është gjallë, 60 vjeçe dhe jeton në fshatin Shkallnur komuna Rrashbull, Durrës, dhe çdo gazetar mund ta verifikojë lehtësisht këtë gjë, thotë Mëhilli.