E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Mungon balanca mediatike dhe cilësisë e debateve publike në procesin elektoral

Vetëm18 ditë para zgjedhjeve parlamentare, Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin e saj të thellë për mbulesën e njëanshme mediatike që po i serviret qytetarëve shqiptarë gjatë kësaj fushate. Ndërkaq, LSI shprehet e shqetësuar për varfërinë e debateve publike që po zhvillojnë dy forcat e tjera politike dhe për mungesën e përmbajtjes programore. Zëdhënësi i LSI, Ralf Gjoni, u shpreh se ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ishte forca e parë që bëri publik planin e saj për veprim, dy forcat e tjera vazhdojnë të luajnë me elektoratin shqiptar. Po vëmë re një tendencë gjithnjë e në rritje të tërheqjes së vëmendjes së elektoratit prej çështjeve kryesore të fushatës, duke e përqendruar debatin në retorika boshe, premtime pompoze elektorale apo duke hedhur akuza të panumërta mbi kartat e identitetit. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim e ka shprehur qartë qëndrimin e saj për pajisjen me karta identiteti të të gjithë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të atyre zgjedhësve që nuk kanë pasaportë, ne u bëjmë thirrje subjekteve të tjera politike që të mos e keqpërdorin këtë çështje për të devijuar vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale që Shqipëria ka sot, vijoi Gjoni.
Më tej ai i shpreh se LSI ka kërkuar prej kohësh që të gjendet një zgjidhje e menjëhershme e këtij problemi dhe ka ftuar edhe dy drejtuesit e tjerë politikë të ulen në tavolinë për ta zgjidhur këtë çështje sa më parë. Sot nuk kemi më kohë për deklarata të njëpasnjëshme nëpër media por për veprim të shpejtë për tu siguruar të drejtën e votës të gjithë shqiptarëve. U bëjmë thirrje edhe një herë Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste të përqendrohen tek zgjidhja dhe jo tek akuzat e ndërsjella mediatike që nuk shërbejnë për zgjidhjen e këtij problemi. Ne jemi gati të kontribuojmë për gjetjen e një kompromisi në shërbim të zgjedhësve dhe për të garantuar standarde bashkëkohore në 28 Qershor, theksoi Gjoni. Gjithashtu ai shton se merr shkas nga raporti i fundit i Bordit të Monitorimit të Mediave për të shprehur shqetësimin e LSI rreth mbulesës së njëanshme mediatike që po vërehet këto ditë nëpër mediat shqiptare. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë të informohen rreth pikave programore të të gjithë subjekteve politike ashtu siç është parashikuar edhe nga Neni 81 dhe Neni 84 i Kodit Zgjedhor. Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh edhe një herë mbështetjen e saj për të siguruar e për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë e medias dhe u bën thirrje dy partive të vjetra politike të distancohen nga presionet indirekte që ato ushtrojnë mbi edicionet informative, tha Gjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›