Djali i Remzi Hoxhës: Ekstradoni Ilir Kumbaron
Familjarët e biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha, kërkojnë nga drejtësia shqiptare ekstradimin e Ilir Kumbaros nga Anglia në Shqipëri, me qëllim zbardhjen e së vërtetës për të afrimin e tyre. Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, në një konferencë dhënë për mediat dhënë dje, deklaroi se faktet e reja tregojnë se Ilir Kumbaro është personi përgjegjës. "Jemi këtu për shkak se është lajmëruar që më 14 tetor, Gjykata e Lartë e Shqipërisë kthen për gjykim çështjen e Ilir Kumbaros, ish-shikasit që rrëmbeu, torturoi dhe më pas zhduku babain tim, Remzi Hoxhën, 16 vite më parë. Jemi këtu për t'i treguar Drejtësisë së Shqipërisë se vendimi i tyre i stërvonuar është duke u pritur nga çdo shqiptar, kudo që jeton. Ky vendim do t'i dëshmojë çdo shqiptari nëse në Shqipëri ka drejtësi, apo Drejtësia është akoma e uzurpuar nga klanet mafioze shtetërore", - tha Ardian Hoxha. Ai iu referua një emisioni televiziv, në të cilin rezulton se Shaqa Shatri, identiteti me të cilin Remzi Hoxha ka jetuar në Angli, është gjallë dhe ka dëshmuar për humbjen e dokumenteve disa vite më parë. "Pak ditë më parë ishim dëshmitarë të dokumentarit, në të cilin Shaqa Shatri, akoma është i gjallë dhe jeton në fshatin Kushnin të Kosovës. Ai në detaje tregoi se si i është vjedhur dokumentacioni dhe identiteti i tij, dhe u deklarua se e dënon vjedhjen e identitetit të tij nga Ilir Kumbaro dhe përfitimet e tija nga qeveria britanike në emrin e tij", - tha Hoxha. Duke iu referuar fakteve në lidhje me identitetin e Shaqa Shatrit, Hoxha u shpreh se "kjo është një dëshmi e gjallë se Ilir Kumbaro nuk e ka aspak problem të marrë identitetin e tjetërkujt, ashtu si nuk e kishte problem t’ia merrte jetën babait tim".