E Diel, 1 Nëntor 2026

Kavajë, tregtari denoncon në polici tre inspektorë tatimorë

Tre inspektorë tatimorë të Kavajës po procedohen në gjendje të lirë, pasi dyshohet se me qëllim përfitimi mund të kenë zvarritur aplikimin për mbylljen e aktivitetit tregtar të një biznesmeni që kishte në pronësi një servis automjetesh. Burime nga prokuroria e Kavajës kanë bërë të ditur se inspektorët tatimorë Rudin Bishqemi, Xhavit Dobjani dhe Bashkim Elmazi janë denoncuar nga shtetasi Grigor Ziu, i cili i ka akuzuar ata se kanë denoncuar një procesverbal dhe kanë hedhur në mënyrë të rreme firmën e tij në këtë procesverbal. Sipas denoncimit të bërë nga Grigor Ziu, ky i fundit ka aplikuar në dhjetor të vitit 2010 pranë QKR-së, për të mbyllur aktivitetin e tij tregtar. Tregtari Grigor Ziu pretendon se tre inspektorët e denoncuar prej tij, në muajin janar 2011 kanë nënshkruar një procesverbal, ku nëpërmjet të cilit rezultonte se aktiviteti autoservis i tregtarit Ziu vazhdonte të punonte dhe në janar, ndërsa sipas tregtarit, ky aktivitet ishte mbyllur që në muajin dhjetor. Në këtë procesverbal të hartuar nga tatimorët rezulton dhe nënshkrimi i firmës së tregtarit Ziu, ndërsa ky i fundit në denoncim ka pretenduar se është falsifikuar nga tatimorët. Më pas tatimorët kanë nënshkruar se ky tregtar ka detyrime për të shlyer dhe sipas denoncimit të tregtarit, që prej muajit janar 2011 deri në muajin shtator 2011, ai nuk është njoftuar zyrtarisht për këto detyrime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›