Djali i Rugovës: Koalicioni PDK-LDK, në të mirë të vendit

Prishtinë, 31 gusht, NOA Koalicioni aktual PDK-LDK është në të mirë të vendit. Kështu ka deklaruar Ukë Rugova, djali i ish-presidentit kosovar, Ibrahim Rugova, i cili ka pohuar gjatë një interviste nisjen e karrierës së tij politike.
Ky koalicion është formuar për të mirën e vendit, ashtu sikurse kanë qenë edhe koalicionet tjera të pasluftës në Kosovë, si koalicioni LDK-PDK-AAK, apo edhe koalicioni i kaluar LDK-AAK. Edhe koalicioni aktual ishte në frymë të kontributit për stabilitetin në Kosovë. Kuptohet edhe një opozitë e fuqishme i ndihmon stabilitetit në Kosovë. Por, koalicioni i dy partive të mëdha mendoj se ka ndihmuar që të mos merremi me disa imtësira në politikë. Shtetet e bëjnë këtë kur kanë kriza të rënda, siç ishte rastin Gjermani, kur u ulën së bashku CDU dhe SPD. I njëjti rast, por në rrethana të tjera, është me koalicionin aktual. Besoj se kjo i ka ndihmuar shtetësisë së Kosovës dhe kjo u vërejt me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili thënë troç, është rezultat i një qeverisje stabile në Kosovë, ka pohuar ai.
Duke shtuar ndër të tjera se LDK-ja ka nevojë për personalitete si Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, e se do të inkuadrohet në politikë për ti ruajtur vlerat demokratike të shtetit që po ndërtohet.
Dëshira ime ishte që ti pres proceset e rregullta të zgjedhjeve që janë çdo katër vjet në parti dhe të inkuadrohem në këtë formë. Ka pasur edhe propozime të tjera për kyçjen time në politikë, por unë nuk i kam pranuar ato. Nuk kam dashur të fitojë pozita politike pa marrë pjesë në zgjedhje të brendshme të partisë, ka pohuar Ukë Rugova.
Sipas tij, në këto zgjedhje do të konkurrojë vetëm për strukturat udhëheqëse të partisë, por jo edhe për pozitën e kryetarit.
Ndërkaq, ai ka deklaruar se një nga momentet më të vështira të jetës politike të babait të tij ka qenë obligimi nga korniza kushtetuese për të dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë.
Sipas tij, edhe atëherë ky fakt ka qenë i vështirë për LDK-në dhe e njëjta gjë po dëshmohet edhe tani.
n.e/NOA