E Diel, 1 Nëntor 2026

Djali i ish-gjeneralit kërkon dëmshpërblim për burgim të padrejtë

Asllan Xhaferri i drejtohet Gjykatës së Tiranës: Jam mbajtur 33 ditë ‘peng’ në burg

Asllan Xhaferri, djali i Rrapush Xhaferrit, ish-bosit të firmës piramidale “Demokracia Popullore”, ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Ai ka paditur Ministrinë e Financave, pikërisht degën e thesarit Tiranë. Objekti i kërkesës është “detyrimi i palës së paditur të më kompensojë për burgim të padrejtë për periudhën 2 shkurt 2007 deri më 5 mars 2007, pra 33 ditë burg të padrejtë”. Shorti i hedhur në Gjykatën e Tiranës ka përcaktuar gjyqtarin Ilir Mustafaj si kryesues të kësaj padie. Djali i Rrapush Xhaferrit, është liruar nga burgu në bazë të amnistisë së dekretuar nga Presidenti Alfred Moisiu. Ai ishte dënuar me 8 vjet heqje lirie për veprën penale të “mashtrimit në bashkëpunim” dhe i kishin mbetur për të vuajtur edhe 13 muaj burg, që me hyrjen në fuqi të dekretit. Në fillim të vitit 2007, avokatët e Asllan Xhaferrit do të kërkonin në gjykatë se klienti i tyre duhet të lirohej nga gjykata, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk e kishte liruar edhe pse në nenin 1 të ligjit për amnistinë, thuhet se “Amnistohen personat e dënuar me burgim ose dënime më të lehta, të cilëve, në datën 31 dhjetor 2006 u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet burg”. Duket se një interpretim i gabuar nga ana e Drejtorisë së Burgjeve ka shtyrë edhe lirimin e tij. Pas miratimit të amnistisë, nga qelitë e burgjeve shqiptare dhe nga paraburgimi kanë dalë rreth 500 persona. Asllan, Përparim dhe Pëllumb Xhaferri janë shpallur fajtorë për konsumim të veprës penale “vjedhje me anë të mashtrimit të shumave të mëdha”, kryer në bashkëpunim. Sipas gjykatës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në një periudhë kohe nga viti 1994 deri 1996, kanë grumbulluar para nga populli në formën e huamarrjes. Paratë janë grumbulluar për llogari të firmës piramidale “Demokracia Popullore-Xhaferri”, e drejtuar nga babai i tyre, Rrapush Xhaferri, për të cilin ekzistonte e njëjta akuzë, por që u pushua pas vdekjes së tij. Të pandehurit kanë vjedhur me anë të mashtrimit 1177800 kreditorë. Shuma e grumbulluar dhe për të cilën u dënuan, është 15 miliardë lekë. Asllan Rrapush Xhaferri është arrestuar në Tiranë më 17 korrik të vitit 2002. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, i dhënë në qershor të vitit 2004, Asllan Xhaferri u dënua me dhjetë vjet burg, ndërsa Përparimi dhe Pëllumbi, që janë hetuar dhe gjykuar në mungesë, në momentin e parë që do të kapen, do të vuajnë nga 12 vjet burg. Vendimi mbeti në fuqi nga Gjykata e Apelit, për tre fëmijët e Rrapush Xhaferrit. Ndërsa për këtë të fundit, çështja u pushua pas vdekjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›