E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali i mitur qëllon me çifte vëllanë 12-vjeçar

Loja me armë mes dy vëllezërve ka sjellë plagosjen e rëndë të njërit prej tyre, ndërsa djali tjetër ka kaluar në gjendje shoku

LUSHNJE Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e pasdites në fshatin Çermë Shkumbin në rrethin e Lushnjës. Një fëmijë 12-vjeçar është qëlluar me armë zjarri tip gjahu nga i vëllai i tij një vit më i madh. Ngjarja është regjistruar në brendësi të shtëpisë përdhese, ku ata jetojnë familjarisht, rreth orës 13:00 të ditës së mërkurë. Fëmijët kanë qenë duke u përgatitur për të shkuar në shkollë.

Saçmet e dala nga arma e gjahut e kanë marrë vogëlushin në kokë, në pjesën e djathtë të fytyrës, duke depërtuar në brendësi të kafkës. Fëmija është dërguar urgjentisht në spitalin e Lushnjës. Por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore shkaktuar nga plagët e marra, ai është nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në kryeqytet Sipas burimeve nga ky spital gjendja e vogëlushit K. Leka vijon të jetë e rëndë. Ndërkohë që po e rënduar psikologjikisht paraqitet edhe gjendja e familjes së vogëlushit e sidomos e vëllait të tij 13 vjeç, A. Leka.

Prindërit

Baba i fëmijëve, Besnik Leka, rreth 47 vjeç, ka qenë për një vizitë te vëllai i tij në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Fëmijët janë lënë prej të dy prindërve duke u përgatitur për të shkuar në shkollë. “Në çastin kur ndodhi ngjarja, ne ishim te vëllai, pasi kishte ardhur motra së bashku me bashkëshortin e saj. Shkuam për t’i takuar dhe i lamë të dy fëmijët në shtëpi, duke u veshur dhe duke u përgatitur për në mësim”, - ka nisur rrëfimin babai i tyre, Besniku. Sipas tij, është dëgjuar vetëm një krismë arme. “Sapo dëgjova krismën e armës u shqetësova. Arma tip teke gjahu rri në shtëpi e varur. Mendova se diçka kishte ndodhur, kur dëgjova ulërimë dhe britma të forta. Kur erdha në shtëpi pashë djalin e përgjakur dhe pa ndjenja. Nuk mbaj me mend se çfarë ndodhi më pas”, - pohon ai. Të afërm të tjerë të mbledhur në banesë kanë rrëfyer se ngjarja ka ndodhur pa dashje. Vëllai më i madh 13 vjeç i kishte thënë të vëllait që ai merrte vesh nga armët dhe pasi kishte tërhequr armën e gjahut nga muri, e kishte marrë në duar dhe po përpiqej t’i tregonte të vëllait se si merrej nishan. Befas arma shkrepi, pasi kishte qenë me një fishek brenda saj dhe ndodhi ajo që nuk pritej”, - tha një i afërm i fëmijëve. Sipas tij, djaloshi i mitur ishte plagosur në pjesën e djathtë të fytyrës dhe në parakrah. Saçmat e morën në pjesën e parakrahut dhe në sy e faqen e djathtë. Djali ka ngritur instiktivisht dorën për mbrojtje dhe një pjesë e saçmave, siç e pamë ishin në parakrahun e tij të majtë.

Në shtëpinë e fëmijëve gjatë gjithë pasdites kanë shkuar qindra bashkëfshatarë për t’i uruar shërim të shpejtë djaloshit. Ndërsa mësues e shokë të klasës së tij kanë rrëfyer se të dy djemtë ishin nxënës shumë të mirë si në mësime, ashtu edhe në sjellje. “Jemi shokuar nga kjo ngjarje dhe po presim fjalën e mjekëve”, - kanë pohuar mësuesit. Sipas tyre gjendja e rëndë nuk është vetëm për të plagosurin. “Kemi marrë psikologun dhe po punojmë me vëllanë e tij 13-vjeçar. Ai ka kaluar tashmë në gjendje shoku dhe ka nevojë urgjente për shërbim të specializuar psikologjik”, - pohojnë ata. Bluzat e bardha në Lushnjë u shprehën se fëmija ka mbërritur në spital gati me kafkë të shkatërruar nga depërtimi i saçmave. Kërkuam ndihmë më të specializuar mjekësore, sepse ishte e pamundur që të ndërhyhej kirurgjikisht nga ana jonë. Sipas tyre, djaloshi ka dëmtime të rëndë në fytyrë, një pjesën e buzëve dhe në syrin e djathtë. Të dy fëmijët A.Leka e K.Leka i plagosur, vazhdojnë përkatësisht klasën e shtatë dhe të gjashtë të ciklit nëntëvjeçar në shkollën e mesme të bashkuar Çermë Shkumbin, shkollë e cila ndodhet rreth 200 metra larg banesës së tyre. Familja është në gjendje jo të mirë ekonomike. Dy prindërit janë fermerë, ndërsa kanë pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›