Pazar me ilaçet e të sëmurëve me tumor, Prokuroria zbardh skemën
Ish-kryeinfermierja e Onkologjikut, Arentina Arifaj dhe farmacistja Margarita Kola çohen në gjyq me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Dyshohet se përmes falsifikimit të kartelave kishin arritur të përfitonin 1 milion lekë citostatikë
Prokuroria e Tiranës zbardh skemën e vjedhjes së ilaçeve për kurimin e të sëmurëve me tumor dhe çon në gjyq ish-kryeinfermieren e Onkologjikut dhe një farmaciste. Hetimi kishte nisur në vitin 2008 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe më 2009 kirurgu i njohur Agim Karaj kishte pohuar për organin e akuzës se në spitalin ku punonte kishte shpërdorime të ilaçeve të shtrenjta. Përgjatë kësaj kohe Prokuroria ka siguruar raportin e KLSH-së, që kishte konstatuar si dëm ekonomik shumën prej 1 milion lekësh të reja, ndërsa ekspertimet e mëvonshme vërtetuan akuzat për abuzime me barnat. Skema fitimprurëse realizohej përmes falsifikimit të kartelave të pacientëve dhe tërheqjes nga farmacia qendrore të barnave, në emër të tyre. MAPO boton kërkesën për gjykim, që pritet të lexohet në gjykatë, sapo të fillojë procesi gjyqësor ndaj ish-kryeinfermieres së Onkologjikut, Arentina Arifaj, farmacistes Margarita Kola dhe kolegut të saj Hysni Bajrami, i cili ndodhet aktualisht në një proces tjetër gjyqësor.
Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të hetimit ka rezultuar se Agim Karaj gjatë deklarimeve të dhëna më 27 mars 2009 ka pretenduar se në pavijonin e Onkologjikut në QSUT janë shpërdoruar barna dhe medikamente të ndryshme nga ana e personelit të këtij pavijoni. Ai ka pretenduar se nga ana e inspektorëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë konstatuar në shërbimin e Onkologjisë një sërë shkeljesh në lidhje me administrimin e disa medikamenteve të shtrenjta që përdoren për trajtimin e pacientëve që i nënshtrohen kimioterapisë. Po kështu, ai ka dorëzuar materiale të ndryshme për këtë qëllim. Për zbardhjen e rrethanave të hetimit është marrë një kopje e projekt-raportit të KLSH-së në këtë pavijon, në të cilin ka pretendime për diferenca midis barnave që janë tërhequr nga farmacia e spitalit për Onkologjikun dhe evidentimit të përdorimit të tyre përmes kartelave mjekësore. Gjithashtu, janë pyetur punonjësit e personelit mjekësor dhe farmaceutik në lidhje me pretendimet e KLSH-së dhe është administruar i gjithë dokumentacioni që disponohej në lidhje me lëvizjen e medikamenteve mjekësore nga farmacia qendrore në farmacinë e Onkologjikut e deri te pacientët.
Sipas raportit të KLSH-së, grupi i kontrollit ka analizuar përdorimin e gjashtë barnave citostatikë që janë mjaft të kushtueshëm, të përdorur në spitalin Onkologjik pranë QSUT-së. Kontrolli është shtrirë në periudhën 1 shtator 2008 - 30 shtator 2008, ku janë shqyrtuar të gjitha kartelat e pacientëve të mjekuar me barna citostatikë, e veçuar 153 kartela, nga të cilat 68 kartela nga pavijoni i kimioterapisë. Si rezultat i kontrollit, inspektorët e KLSH-së kanë arritur në përfundimin se në repartin e Onkologjisë janë konstatuar diferenca në lidhje me citostatikët e qarkulluar në farmaci në vlerën e 1 044 280 lekëve. Nga kontrolli ka rezultuar se në repartin ditor nuk janë gjetur 19 kartela origjinale dhe se në vend të tyre ishin hapur kartela “të tjera”. Në to janë gjetur receta me barna, të pavulosura dhe firmosura nga mjeku, farmacisti apo pacienti. Sipas raportit të KLSH-së, kartelat ishin hapur nga infermierët, në pamundësi për të gjetur ato origjinale, por pa shënuar fjalën dublikatë mbi to, nuk ka pasur asnjë urdhër me shkrim nga drejtuesit e Onkologjikut për hapjen e tyre dhe se nuk ishin dorëzuar në statistikë. Gjithashtu, janë konstatuar një sërë rastesh në të cilat ka receta për trajtim me barna të pacientëve që kanë dalë nga spitali, apo që nuk janë shtruar në datë. Në përfundim të kontrollit, KLSH ka kërkuar në drejtorinë e QSUT që mjekja A.D., dhe farmacistët Magarita Kola, Hysen Bajrami dhe M.R., të marrin masën e “vërejtjes me paralajmërim për largim nga puna”, ndërsa kryeinfermierja Arentina Arifaj të “uljes në detyrë”. Rekomandimi i dytë i KLSh ishte që në rrugë ligjore, 9 punonjësve të mësipërm t’u kërkohej arkëtimi i dëmit ekonomik prej 8 395 489 lekëve si pasojë e shpërdorimit të citostatikëve. Me qëllim sqarimin e rrethanave të hetimit, është sekuestruar i gjithë dokumentacioni i lartpërmendur. Një sasi e kartelave klinike janë marrë, në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, nga Arentina Arifaj dhe vetëm pas disa përpjekjesh nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore ato janë administruar në cilësinë e provës. Gjithashtu, është kryer ekspertimi kontabël, ku i është kërkuar një eksperteje të jepte përgjigje nëse kishte diferenca mes barnave të tërhequra nga farmacia dhe atyre që u janë dhënë pacientëve, sipas kartelave. Në përfundim të ekspertimit është arritur në përfundimin se nga farmacia, në periudhën 1-30 shtator 2008, janë tërhequr 1 455 070 lekë më shumë barna seç u janë shpërndarë pacientëve. Me këtë akt ekspertimi janë njohur farmacistët dhe kryeinfermierja Arentina Arifaj, të cilët e kanë kontestuar atë, duke kërkuar nëse kishte diferenca për ditët që ata kanë qenë në detyrë. Shtetaset Arentina Arifaj dhe Margarita Kola gjatë deklarimeve të tyre kanë pretenduar mbi mungesa në dokumentacion dhe pasaktësi në llogaritje nga ana e KLSH-së. Kryeinfermieret që zëvendësuan Arifajn thanë për prokurorinë se nuk kanë marrë në dorëzim regjistra, kartela klinike dhe dokumentacion tjetër, duke pretenduar se ajo i kishte marrë me vete, duke këmbëngulur se ishte në proces gjyqësor. Nga sa më sipër, rezulton se Arentina Arifaj, Margarita Kola dhe Hysni Bajrami kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.