E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinari shtrohet në spital, pezull pretenca për Gërdecin

Shtyhen sërish konkluzionet e Prokurorisë për tragjedinë e Gërdecit. Ish-drejtori i MEICO-s shtrohet me urgjencë në Kardiologji, për shkak të problemeve me zemrën

Tiranë Mungesa e një prej tre anëtarëve të trupit gjykues dhe të pandehurit Ylli Pinari ka shtyrë sërish leximin e pretencës së prokurorisë ndaj 29 të pandehurve të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Sipas gjykatës, i pandehuri Pinari nëpërmjet avokatit të tij kishte depozituar në sekretarinë e Gjykatës një kërkesë, me anë të së cilës lajmëronte pamundësinë e tij për të qenë i pranishëm në seancën e djeshme gjyqësore. Në shkresë Pinari thoshte se ndodhej i shtruar në repartin e Kardiologjisë për shkak të problemeve shëndetësore të shfaqura në zemër. Sipas gjykatës, ky është një shkak i ligjshëm për shtyrjen e seancës, ku mungoi edhe gjyqtarja Fatmira Hajdari. Sipas miqve të Pinarit, mësohet se ai është shtruar me urgjencë në repartin e Kardiologjisë pas problemeve shëndetësore që ka pasur në zemër. Këtë shqetësim ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico” e ka shfaqur edhe gjatë procesit gjyqësor, kur herë pas here ka shprehur pamundësinë për të vazhduar seancën pikërisht për shkak të problemeve shëndetësore. Pretenca ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit ka nisur dy javë më parë dhe ende nuk ka përfunduar, për shkak të volumit të madh të materialeve dhe mungesës së avokatëve mbrojtës. Katër përfaqësuesit e akuzës kanë mundur të lexojnë vetëm gjysmën e pretencës prej 500 faqesh, që prokurorët kanë përgatitur si konkluzione përfundimtare ndaj 29 të pandehurve. Të pandehurit akuzohen për vrasje masive, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Tashmë përfaqësuesit e akuzës kanë caktuar edhe masat e dënimit që do të kërkojnë për të pandehurit, të cilat nisin me tre burgime të përjetshme për të pandehurit kryesorë e deri në disa vite burg për të pandehurit që akuzohen për vepra më të lehta penale. Konfirmohet se në pretencën e saj prokuroria do të kërkojë dënimin me burg të të gjithë të pandehurve. Leximi i pretencës për superdosjen “Gërdeci” pritet të përfundojë brenda dy seancash, nëse do të jenë të pranishme të gjitha palët, përfshi edhe avokatët mbrojtës, të cilët në disa raste janë bërë shkak për shtyrjen e seancave gjyqësore. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›