E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria nuk tërhiqet: Burgim të përjetshëm për Lavdërim Tufën

SHKRUAN: Leonard Bakillari 27-10-2011 14:35

I akuzuari për masakrën e Kartodromit, Lavdërim Tufa, rrezikon të marrë dënimin e dytë me burgim të përjetshëm, edhe pse testi i ADN-së lehtësoi pozicionin e tij. Prokuroria: Të bindur se është autori i vrasjes së Mirit të Xhikes

Tiranë Një fije floku i ka mjaftuar për herë të dytë prokurorisë që të kërkojë burgim të përjetshëm për Lavdërim Tufën, i akuzuar për vrasje me paramendim të Fatmir Ramës, Kristaq Camit dhe Julian Durishtit. Kërkesa u bë gjatë seancës së djeshme nga prokurorët Liljana Gjomema dhe Saimir Hysi, të cilët prezantuan para gjykatës konkluzionet përfundimtare për dosjen “Tufa”, që zvarritet prej më shumë se 6 vitesh në sallat e gjyqit. Prokurorja Gjomema, duke përshkruar ngjarjen e ndodhur më 29 mars të vitit 2004 në lokal “Kartodrom” në periferi të kryeqytetit, akuzoi Lavdërim Tufën si autorin e vrasjes së trefishtë. Edhe pse pa motiv dhe me ekspertizën e ADN-së që “shfajëson” Tufën, përfaqësuesit e akuzës kërkuan dënimin maksimal për të pandehurin, i cili qëndron në qeli që prej nëntorit të vitit 2004, kur u arrestua nga policia nën akuzën e vrasjes. Sipas prokurorisë, Tufa ka qenë i maskuar dhe i armatosur me armë zjarri “Kallashnikov” kur ka qëlluar mbi katër personat që ndodheshin në ambientet e lokal “Kartodrom 2000”, duke par ndeshjen e futbollit Shqipëri-Rusi. Pas vrasjes, në tentativë për t’u larguar, Tufa ka humbur maskën që mbante, ku është gjetur një fije floku dhe pështymë e përzier me gjak. Provat e shumëdebatueshme u janë nënshtruar ekspertizave të shumta edhe në procesin e parë gjyqësor, ku gjithashtu i akuzuari mori dënimin me burgim të përjetshëm. Një nga elementet kryesore të procesit ishte përputhshmëria e ADN-së së Tufës me ADN-në e fijes së flokut të gjetur në vendin e ngjarjes. Ekspertiza e dytë është kryer në Itali dhe një prej ekspertëve që është marrë me rastin në fjalë ka sqaruar para gjykatës masën e përputhshmërisë së ADN-së, duke bërë edhe interpretimet e nevojshme. Por pak seanca më pas, një grup ekspertësh shqiptarë me profesion gjenetistë kanë përjashtuar Lavdërim Tufën si autor të ngjarjes, pasi përputhshmëria e ADN-së ishte në masën 90 për qind. Sipas akt-ekspertizës, që 17 lokuse t’i përkasin të njëjtit profil ADN-je, duhet që këto të përputhen me ADN e Tufës dhe në rastin konkret janë përputhur vetëm 13 lokuse, ndërsa 4 të tjerat janë të panjohura. Në konkluzionin e ekspertëve shpjegohet se sa më shumë lokuse te përputhen, aq më i madh është edhe probabiliteti që ADN e gjetur në vendin e ngjarjes të përputhet me atë të personit të dyshuar. Por ky konkluzion u kundërshtua nga prokurorët e çështjes, të cilët kërkuan nga gjykata që të mos merrte në konsideratë mendimin e ekspertëve shqiptarë, pasi nuk kanë njohuritë e duhura në këtë fushë. Por kjo kërkesë, së bashku me atë të thirrjes së ekspertëve të huaj, u rrëzua nga gjykata, e cila i dha të drejtën prokurorisë të përgatisë konkluzionet përfundimtare për çështjen që shqyrtohet në shkallën e parë që prej 10 dhjetorit të vitit 2009. Sipas prokurorisë, Lavdërim Tufa akuzohet për vrasjen e Fatmir Ramës më 29 mars të vitit 2004, rreth orës 19:50, brenda lokalit të tij “Kartodrom 2000”.

Masakra e Kartodromit më 2004

Në momentet e masakrës në ambientet e lokalit kanë qenë Famtir Rama, i njohur si Miri i Xhikes, Ylli Kelmendi, Flamur Rrapaj, Kristaq Cami e Julian Durishti. Dy persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, duke zbrazur mbi ta 60 gëzhoja dhe më pas u larguan. Policia arrestoi më 26 nëntor të 2004-s Lavdërim Tufën si një nga dy autorët e vrasjes së Ramës, Camit e Durishtit. Për këtë ngjarje Tufa u dënua me burgim të përjetshëm nga Krimet e Rënda, por vendimi u shfuqizua nga Gjykata e Lartë, e cila ktheu çështjen për rigjykim në Shkallën e Parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›