E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Raport i kushtëzuar me Kuvendin, të rinisim protestat



Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, tha dje se kjo forcë politike duhet t’u rikthehet protestave dhe të mos e harrojë 28 qershorin. Në një intervistë në emisionin e lajmeve të “Ora News” dhënë gazetarit Roland Qafoku, deputeti i qarkut të Durrësit tha se “PS duhet të përqafojë një përqasje tjetër me politikën zyrtare të Sali Berishës. Ne duhet t’u dëshmojmë partnerëve të tij të djathtë europianë, që PS pranoi të ishte pjesë e Parlamentit dhe të ndërpresë grevën e urisë, jo se menduam që Berisha u bë më i mirë, por menduam që këta partnerë të djathtë europianë të kuptonin që në Shqipëri ka nevojë për disa standarde europiane. PS e ka vendin në protestë karshi kësaj Qeverie në detyrën e saj të fortë opozitare. Ne jemi sot në opozitë jo sepse njerëzit nuk na votuan në shumicë, por sepse Sali Berisha i vodhi zgjedhjet e 28 qershorit dhe këtë PS nuk duhet ta harrojë”. Sipas tij, Partia Socialiste duhet të ketë një profil tjetër në Kuvend dhe në raport me Qeverinë e Kryeministrit Berisha. Klosi thekson se PS duhet të jetë më e vëmendshme në raport me transparencën e zgjedhjeve, pasi sipas tij këtë tani e kërkon e gjitha baza socialiste. “Forumet e PS duhet të vazhdojnë të jenë më të angazhuara në kërkesat e tyre për transparencë, duhet të jenë më të angazhuara dhe në raport shumë më të kushtëzuar me Parlamentin shqiptar. Ajo që po ndodh pas kthimit tonë në Kuvend po dëshmon që Berisha jo vetëm që nuk është njeriu që mund të ofrojë transparencë, por po përdor këtë gjest tonin europian për t’iu afruar Kuvendit, që e përdor për shantazh dhe për të keqpërdorur deputetët e PS-së”, tha Klosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›