E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Fazliç, tokë tjetër pranë Gjirit të Lalësit

Nga Klodiana Lala
Damir Fazliç, serbo-boshnjaku i dyshuar për pastrim parash në Shqipëri, është pronar i një sipërfaqeje të madhe trualli në fshatin Rinia, në periferi të Durrësit. Sekuestro dhe mbi pronën në Porto-Romano. 

TIRANE- Ky fakt është zbuluar pak ditë më parë nga prokuroria, e cila po zhvillon hetimet ndaj biznesmenit dhe menjëherë ka vendosur sekuestron e kësaj prone prej dhjetëra hektarësh. Po ashtu, organi i akuzës ka vendosur sekuestron dhe mbi pronën e Fazliç në zonën e Porto-Romanos. "Damir Fazliç zotëron një sipërfaqe të madhe trualli në Porto- Romano dhe fshatin Rinia, zona që janë ngjitur me njëra-tjetrën. Ne kemi vendosur sekuestron mbi këto prona", - tha një burim zyrtar nga Prokuroria. Por vendimi i organit të akuzës nuk është pritur mirë nga pala mbrojtëse. Avokati i Fazliç, Genci Gjokutaj do ta ankimojë atë. Ndaj dje, i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës ta shtyjë seancën gjyqësore ku pritej të shqyrtohej padia civile për heqjen e sekuestros ndaj kompanive të biznesmenit, me qëllim që të bënte ankimin dhe çështja të bashkohej në një për shkak se bëhet fjalë për të njëjtin objekt.
Trualli
Pikërisht në fshatin Rinia që ndodhet në veri të Durrësit, mes Porto-Romanos dhe Gjirit të Lalësit, Damir Fazliç ka preferuar të blejë një sipërfaqe të madhe trualli. Prokuroria, në kuadër të hetimeve ndaj serbo-boshnjakut ka vendosur sekuestron mbi truallin. "Është një sipërfaqe e madhe trualli që Fazliç kishte blerë. Kemi sekuestruar kontratat e shit-blerjes dhe kemi vendosur sekuestron për të kryer veprime të mëtejshme hetimore", - tha një burim nga prokuroria. Fshati Rinia është pjesë e komunës Katund i Ri në Durrës, në një ndër komunat më të mëdha të këtij rrethi. Fazliç ka blerë një sipërfaqe bujqësore, e cila ka qenë kënetë dhe kohët e fundit biznesi ka nisur të hedhë sytë drejt saj. Ende nuk dihet shuma që serbo-boshnjaku ka paguar për ta bërë të tijën sipërfaqen e madhe të tokës bujqësore, por gjithçka do të zbardhet nga prokuroria. Hetimet ndaj Fazliç nisën afro një muaj më parë. Ai dyshohet për pastrim parash. Prokuroria ka kryer një sërë veprimesh hetimore, por në dorë nuk ka asnjë deklarim të Fazliç. Serbo-boshnjaku mbërriti në Shqipëri një ditë pasi prokuroria kishte nisur hetimet, por mundi të largohej me çarterin e tij një orë para orarit të përcaktuar. Organi i akuzës i bëri ftesë për paraqitje, por sikurse pretendohet u pengua nga policia.
FIRMAT E FAZLIC
Pak ditë pas nisjes së hetimeve ndaj Fazliç, prokuroria vendosi sekuestron mbi tetë kompanitë e tij. Bëhet fjalë për kompanitë "Virtu Acquisitions sh.p.k", "DF Trade Limited sh.p.k", "Crown Acquisitions sh.p.k", "Rompetrol-Albania sh.a", "Aplha sh.p.k", "Rompetrol Distribution Albania sh.p.k", "Rompetrol Albania Wholesale", "Rompetrol Albania Doënstream". Por këtë vendim të prokurorisë serbo-boshnjaku e ankimoi në Gjykatën e Tiranës. Në kërkesë-padinë civile të dorëzuar në gjykatë nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, biznesmeni pretendon se vendosja e sekuestros ndaj pronave të tij është e paligjshme dhe si i tillë, vendimi duhet shfuqizuar. Kërkesë-padia e Fazliç, i shumëpërfolur për lidhjet miqësore me mjaft politikanë, do të shqyrtohet nga gjyqtari Artan Broci. Seanca që ishte caktuar të zhvillohej ditën e djeshme, është shtyrë me kërkesë të avokatit mbrojtës të serbo-boshnjakut.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›