E Hënë, 2 Nëntor 2026

Djana Seli, motra e Irenës së zhdukur, rrëfen bisedën e fundit me motrën e saj

05/02/2005  TIRANË –Motra e Irenës, Djana, teksa qëndron pranë nënës së saj, në gjendje të rënduar shëndetësore, nuk parapëlqen të flasë shumë. Megjithatë, ajo e hap telefonin dhe përgjigjet në një mënyrë më shumë se të matur e me mirësjellje. Thotë se nuk mund të thotë gjithçka, sepse hetimi për motrën e zhdukur mund të dëmtohet nëse dalin shumë gjëra në shtyp. Ajo thotë se nuk është dëshira e saj që çështja të vendoset në faqet e gazetave, por gjithçka të ndodhë në hetuesi, polici dhe në Prokurorinë që po heton ngjarjen. Djana është personi që ka folur herën e fundit në telefon me Irenën, para se ajo të zhdukej, më 16 dhjetor 2004. Irena i ka premtuar teksa nisej me tragetin “Venezia”, se do t’i telefononte sapo të mbërrinte në shtëpi, ku nuk shkoi.

Djana, ti ke folur për herë të fundit në telefon me Irenën, a mund të na e përshkruash bisedën me motrën tuaj?

Kam marrë në telefon në numrin e Agimit. Herën e parë më është përgjigjur një person që fliste italisht. E kam mbyllur telefonin dhe kam marrë përsëri, kësaj radhe më është përgjigjur Agimi.

Ku ndodhej Agimi kur po flisnit?

Më tha se ishte te sporteli i agjencisë dhe se po priste biletat për vete dhe për Irenën. I kërkova të flisja me motrën dhe më tha se Irena nuk ishte aty. Më tha ta merrja më vonë kur të shkonte tek Irena.

Çfarë bisedove me Irenën?

Mora pas pesë minutave dhe Agimi më dha Irenën. Nuk kishim ndonjë gjë të veçantë për të folur. Po interesohesha në një mënyrë të zakonshme për udhëtimin. Irena më tha se ishte duke hipur në tragetin “Venezia”, në Trieste. “O Djana, po hipim në traget, do të flasim kur të zbresim”, më tha. Më kërkoi të mos e zgjatnim shumë, sepse sapo të shkonte në shtëpi do të më merrte në telefon dhe do të flisnim.

Bruno tha dje në një intervistë televizive se, Irena e ka përmendur planin e saj të largimit në Amerikë edhe në praninë tuaj, si është e vërteta?

Nuk është e vërtetë se Irena kishte planifikuar të ikte vetëm. Ajo donte të shkonte në Amerikë bashkë me Agimin. Këtë e ka thënë në praninë time dhe ne e dimë të gjithë se ata kishin aplikuar të shkonin në SHBA, të dy bashkë, asnjëherë Irena vetëm.

Djana ka dëshmuar në linjë telefonike për Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Hetuesit pyesin motrën e Irenës nga Gjermania

TIRANË –Prokuroria e Krimeve të Rënda merr në pyetje në linjë telefonike nga Gjermania, motrën e Irena Selit, Djanën. Burimet zyrtare të hetimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe zyrtarë të organit qendror të akuzës, pohuan mbrëmë për gazetën “Metropol” se, dëshmia e Djana Selit, për bisedën me motrën e saj dhe planin për në SHBA, ndodhet në dosjen e zhdukjes së gruas 39-vjeçare. Hetuesit e dosjes, thanë se Djana Seli ka dëshmuar për telefonatën e fundit me Irenën dhe për italianin që i është përgjigjur në telefonin e Agim Mushos, më 16 dhjetor.

Pyetjet

Deklarimet e Bruno Mushos kanë qenë shkaku pse hetuesit kanë marrë në pyetje motrën e Irenës. Bruno ka thënë në Prokurori se, Djana, motra e nënës së tij, kishte dijeni për planin e Irenës drejt SHBA-së. Pas këtyre deklarimeve, ku Bruno theksonte se Djana kish qenë dëshmitare në bisedat e Irenës, hetuesit kanë kërkuar edhe versionin e Djanës. Ajo e ka dhënë dëshminë e saj për hetuesit, duke i siguruar ata se Irena e kishte përmendur largimin drejt SHBA-së, por vetëm me Agimin dhe asnjëherë pa praninë e tij. Djana nuk ka dhënë shumë sqarime për italianin, që, sipas saj është përgjigjur në telefon ditën e zhdukjes së Irenës. Më shumë hetuesit janë përqenduar në fjalët që Irena i ka thënë asaj, nëse ka patur ndonjë shqetësim, apo diçka të papritur gjatë udhëtimit.

Dëshmia

Nuk është hera e parë që drejtësia shqiptare aplikon marrjen e dëshmive në distancë. Kjo praktikë ndiqet për dosje të veçanta, kur hetuesit çmojnë se koha dhe kalimi i saj ndikojnë në hetim ose në rrjedhën e ngjarjes. Në këtë mënyrë, edhe pse kishte premtuar, Djana Seli nuk mundi të vinte në Tiranë të dëshmonte për zhdukjen e motrës së saj, për shkak të problemeve shëndetësore të nënës së saj. Duke besuar se koha është shumë e rëndësishme, aq më tepër për një hetim të filluar vonë si ky i dosjes së Irena Selit, hetuesit kanë preferuar të mësojnë diçka nga motra e të zhdukurës, duke besuar se kjo do t’i çonte në një rrugë drite. Por, sipas hetuesve, edhe dëshmia e Djanës nuk ka patur ndikim te provat e pakta të dosjes dhe versionet e munguara të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›