E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia, 9.6 milionë të reja dëm Buxhetit të Shtetit

05/02/2005  TIRANË -Institucionet e Policisë së Shtetit i kanë shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik prej 9.6 milionë lekë të reja. Skandali është zbuluar nga ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët dje kanë publikuar raportin e kontrolleve të ushtruara në komisariatet e policisë për veprimtarinë e vitit 2004. Sipas ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, moszbatimi i ligjeve në fuqi është bërë në lidhje me pagat, shpërblimet për udhëtime dhe dieta, prokurimin e fondeve publike dhe ekzekutimin e kundravajtjeve administrative. Sipas ekspertëve të KLSH-së, abuzime me financat e policisë janë bërë edhe me dhënien e gradave për forcat e armatosura. Kjo, sipas ekspertëve, ka ndodhur në mënyrë të veçantë në Tiranë, kur 640 punonjës kanë përfituar gradën e agjentit dhe pagesën përkatëse pa mbaruar shkollat e përgatitjes për nënoficerë. Moszbatimi i ligjit për pagat, shtesat dhe kompensimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, në 103 raste, i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik prej më shumë se 2.2 milionë lekësh, ndërsa përfitimi në dieta për 31 raste përfshin shumën prej më shumë se 1 milion lekë. Mosdorëzimi i gjobave është bërë shkak për shpërdorimin e parave të destinuara për Buxhetin e Shtetit. Nuk është dorëzuar blloku i gjobave për 355 raste dhe, kjo ka shkaktuar një dëm prej më shumë se 2.6 milionë lekësh. Për këto shkelje, Drejtoria e Qarkut të Vlorës detyrohet me 952 mijë lekë, Qarku i Tiranës me një vlerë prej më shumë se 1.3 milionë lekësh dhe ai i Fierit me një vlerë prej 317 mijë lekësh. Sipas KLSH-së, abuzime ka patur edhe me të ardhurat që shkojnë në polici nga dhënia e lejeve të mbajtjes së armëve. Borxhi i policisë ndaj shtetit për këtë rast është 2.3 milionë lekë. Dëmin më të madh në këtë drejtim e ka shkruar Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me 1.5 milionë lekë dhe më pas Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës me një vlerë prej 516 mijë lekë. Shkelja e rregullave të prokurimit publik ka shkaktuar një dëm të llogaritur në vlerë monetare rreth 127 mijë lekë, ndërsa kjo, sipas ekspertëve të KLSH-së, ka ndodhur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Korçës. Mosarkëtimi i detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi pagën ka shkaktuar një dëm mbi 1.2 milionë lekë. Mosvjelja e gjobave të vëna nga qarkullimi rrugor ka dëmtuar Buxhetin e Shtetit në shumën 73 milionë lekë. Rasti më i rëndë është ai i Komisariatit të Policisë së Qarkullimit Rrugor të Tiranës, ku dëmi ekonomik është 52 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›