Donovan: Luajta, por kisha gripin e derrave
Landon Donovan, sulmuesi i Los Anxhelos Galaksi dhe i Kombëtares amerikane është prekur nga virusi AH1N1. Kjo u zbulua pas testeve në fund të ndeshjes së luajtur të mërkurën në Meksikë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit, ku SHBA u mposht me rezultatin 2-1. Donovan nuk ra në kontakt me gripin e derrave gjatë kësaj transferte (edhe pse luajti 90 minuta kundër meksikanëve), por virusi iu transmetua nga dy anëtarë të stafit të Galaksi, që u sëmurën gjatë fundjavës së kaluar, pas sfidës në Masaçuset, përballë Nju Ingland Revolushën. "Të dielën, kur mbërrita në Majami, kisha pak probleme. Nuk ndihesha mirë, por situata nuk ishte as e rëndë", pohoi shoku i skuadrës së Devid Bekham. "Mendova se kjo ndodhi për shkak të ndryshimit të klimës. Në fushë nuk isha ndier aq keq asnjëherë më parë. Mëngjesin pas ndeshjes, temperatura ishte rritur shumë".