Dje Kryeministri i Shqipërisë, zoti Fatos Nano i është përgjigjur letrës së dy rektorëve të Universiteteve, zotit Shezai Rrokaj, Rektor i Universitetit të Tiranës dhe zotit Përparim Hoxha,
Dje Kryeministri i Shqipërisë, zoti Fatos Nano i është përgjigjur letrës së dy rektorëve të Universiteteve, zotit Shezai Rrokaj, Rektor i Universitetit të Tiranës dhe zotit Përparim Hoxha, rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës.
Në këtë letër Kryeministri ju bën me dije se ka ndjekur dhe po ndjek me vëmendje të posaçme zhvillimet dhe reformën në arsimin e lartë në kuadër të implementimit të Kartës së Bolonjës. Në këtë këndvështrim, thekson Kryeministri, vlerësoj rivendosjen e dialogut tonë institucional.
Në vijim të letrës, po dje me Urdhër të Kryeministrit Nr.187, date 24.11.2004, është ngritur një grup pune ndërdikasterial, i kryesuar nga Ministri i Shtetit për Koordinim, zoti Marko Bello, i cili do të studiojë çështjet e reformës në arsimin e lartë në kuadër të zbatimit të procesit të "Deklaratës së Bolonjës".
Ky grup do të negociojë me përfaqësues të Konferencës së Rektorëve, si dhe do të këshillohet me specialistë të shquar në fushën e arsimit të lartë, akademikë e specialistë të institucioneve ndërkombëtare, për evidentimin e çështjeve dhe për gjetjen e mënyrës më optimale për zgjidhjen e tyre.
Grupi i punës në përfundim të detyrës do të paraqesë pranë Kryeministrit një raport të hollësishëm për çështjet e sipërpërmendura, me qëllim identifikimin e qartë të detyrimeve që rrjedhin nga Karta e Bolonjës dhe përmirësimin ligjor të të drejtave të profesoratit dhe studentëve përmes statusit ligjor të tyre, për sigurimin e autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë.