Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Qeverive të Iniciativës së Europës Qendrore (NEQ), që zhvilloi punimet në Portorozh të Sllovenisë. Zoti Nano ka mbajtur n
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Qeverive të Iniciativës së Europës Qendrore (NEQ), që zhvilloi punimet në Portorozh të Sllovenisë. Zoti Nano ka mbajtur një fjalë në seancën e sotme plenare, ku është përqëndruar në vlerësimin e marrëdhënieve të deritanishme midis vendeve anëtare, shkëmbimit të ideve dhe përvojave, zhvillimet politike dhe ekonomike të rajonit, si dhe në përcaktimin e prioriteteve të një bashkëpunimi më të frytshëm në të ardhmen.
Në përfundim të punimeve të Samitit, u miratua një deklaratë e përbashkët, ku mbështetet bashkëpunimi në drejtim të procesit të integrimit europian, bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe në kuadër të sigurisë dhe të stabilitetit në vendet e Europës Qendrore e më tej.
Në fjalën e tij, Kryeministri Nano, pasi përshëndeti 15 vjetorin e krijimit të kësaj Nisme, vlerësoi se eksperienca e këtyre viteve e ka provuar efektivitetin e saj në dy aspekte kryesore: në funksion të forcimit të marrëdhënieve e të bashkëpunimit të gjithanshëm, si dhe të gjetjes së zgjidhjeve për ato probleme që parashtrojnë axhendat e përbashkëta integruese.
"Këto vite, tha zoti Nano, janë karakterizuar nga ngjarje dramatike në rajon. Konfliktet etnike, tranzicioni i gjatë e i vështirë nga njëra anë, si dhe reformat drejt konsolidimit të shtetit ligjor e të ekonomisë së tregut nga ana tjetër, u përcollën me vështirësi dhe pasoja ende të prekshme për një pjesë të vendeve të rajonit tone."
I mbështetur mbi dy principe kryesore - kohezioni dhe solidariteti – Nisma e Europës Qendrore, nënvizoi Kryeministri, rezultoi dhe vazhdon të mbetet një instrument efikas me kontribute reale në zbutjen dhe zgjidhjen e problemeve, forcimin e paqes, stabilitetit politik dhe ekonomik të vendeve pjesëmarrëse. Në këtë drejtim, tha ai "të gjithë jemi dëshmitarë të realitetit të ri që përjeton Ballkani dhe çdo vend më vete. Me një doze reale optimizmi ne sot mund të konstatojmë se situata në Europën Juglindore shfaqet e stabilizuar dhe se rajoni ynë po hedh hapa përpara drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik, si pjesë e një procesi integrues e europianizues pa kthim prapa".
Stadi i arritur në nivelin e bashkëpunimit, kërkesat që shtrojnë përpara këtyre vendeve proceset integruese, sipas zotit Nano, i orientojne diskutimet dhe bashkëpunimin drejt fushave që i bëjnë më konkrete, marrëdheniet mes vendeve tona. Në këtë drejtim, konstatoi ai, NEQ-i ka ende një rol të veçantë e të rëndësishëm për të luajtur edhe gjatë viteve në vazhdim, ndonëse një pjesë e vendeve anëtare të Nismës sot janë pjesë e familjes së madhe europiane, ndërsa një pjesë tjetër është në udhën e mbarë të këtij procesi negociues e integrues. "Është kënaqësi të konstatoj se vendi im tashmë është pjesë e pandarë e këtij procesi. Terminali i fundit për të gjithë ne është Brukseli", theksoi zoti Nano.
"Prania e vendeve anëtare të BE-së në NEQ, sipas Kryeministrit, ka kontribuar e do të kontribuojë më shumë në të ardhmen, jo vetëm për ti përcjellë komunitetit europian angazhimin tonë të vendosur për të arritur standartet europiane, por edhe për të përçuar brenda këtij procesi frymën konstruktive të bashkëpunimit që karakterizon këtë komunitet".
Duke shprehur bindjen se procesi i zgjerimit të BE-së dhe NATO-s është një proces i hapur dhe i paprapsueshëm, zoti Nano u shpreh se NEQ-i edhe në të ardhmen do të luajë një rol të dorës së parë për bashkëpunimin politik dhe dialogun midis anëtarëve të rinj dhe të vjetër të BE-së, si dhe vendeve aspirante për tiu bashkëngjitur familjes europiane dhe euroatlantike.
Më tej, zoti Nano vuri theksin tek vlerat e kësaj Nisme për përmbushjen e një prej objektivave konkrete të saj, mbartjes së standarteve nga vendet me status më të përparuar drejt vendeve të tjera që janë duke i realizuar ato, "në mënyrë që të bëhet e mundur jo vetem përqasja e standarteve mes anëtarëve të kësaj familjeje, por edhe njëjtësimi i tyre". "Ne të gjithe, tha ai, jemi të bindur për vlerat universale që mbartin sistemet që përfaqësojmë, ashtu siç jemi të bindur se kjo nuk është diçka që arrihet brenda natës, as për një dekadë, por është një sistem e mënyrë të jetuari në shoqëritë demokratike".
Në veçanti, zoti Nano u ndal në rolin e NEQ-BERZH, Trust Fund, të mbështetur nga qeveria italiane. Përmes këtij instrumenti tashmë të provuar për efikasitetin e vet janë mbështetur dhe realizuar një sërë aktivitetesh dhe projekte investimesh në sektorë si infrastruktura, transporti, mjedisi, sigurimet, etj., që synojnë zhvillimin e këtyre sektoreve jetikë të vendeve tona dhe që kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e standarteve dhe përqasjen e tyre me ato europiane.
Gjithashtu Kryeministri shqiptar vlerësoi në fjalën e tij pjekurinë, bashkëpunimin dhe zhvillimet e reja që ka njohur rajoni ynë. "Të ndërgjegjshëm për rëndësinë e bashkëpunimit vendet tona kanë ndërmarrë iniciativa politike konkrete në kuadër të Nismave rajonale ekzistuese. Dalja me një zë të përbashkët për të adresuar probleme të përbashkëta është shenjë maturie, është shprehje elokuente e vullnetit politik të të gjitha vendeve tona për integrim rajonal, si prelud për integrimin europian", tha ai.
Duke vlerësuar në këtë drejtim arritjet e Marreveshjeve të Tregtise së Lirë, si dhe të Projektit të krijimit të Rrjetit të Përbashkët Energjitik, si pjesë e kuadrit të përgjithshem e kompleks të bashkëpunimit rajonal. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, zoti Nano theksoi se asgjë nuk do të ketë dimensionin dhe impaktin e duhur në qoftë se qytetarët e vendeve tona nuk do të levizin lirisht në hapësirën rajonale tok me mallrat, kapitalet e idete. "Ndaj dhe Shqiperia prej disa vitesh është e angazhuar në krijimin e një hapësire të quajtur "Shengeni Ballkanik". Modelet ekzistojnë, nuk ka nevoje të shpikim tjetër gjë, mjaft ti zbatojmë ato si pjesë të standarteve europiane", tha Kryeministri Nano.
Lidhur me zhvillimet pozitive në rajon, zoti Nano vlerësoi procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Kosovë, "të karakterizuar nga një atmosferë demokratike dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare" dhe e konsideroi atë "një hap përpara në konsolidimin e imazhit të një Kosove të re që ecën përpara drejt të ardhmes së pakthyeshme europiane". Po ashtu, ai përshëndeti zgjedhjen e qartë që bënë qytetarët e Maqedonisë në referendumin e datës 7 nëntor, "të bindur se kjo zgjedhje i shërben paqes, bashkëjetesës dhe stabilitetit të vendit, zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe përpjekjeve për avancimin e procesit të integrimit europian dhe euroatlantik të tij". Ndërsa gjatë kësaj periudhe, Shqipëria, evidentoi zoti Nano, ka shënuar progres në të gjitha fushat e jetës. "Rezultatet e këtyre arritjeve janë pasqyruar edhe në negociatat me BE për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Mbështetur në vullnetin tonë politik dhe gadishmërinë e shprehur, ne jemi optimistë për mbylljen e negociatave në një kohë të afërt".
Në këtë funksion, tha Kryeministri, Samiti i Selanikut ofroi për vendet tona edhe një sërë instrumentash që e bëjnë më konkrete këtë perspektivë, një prej tyre është Partneriteti Europian. "Në fillim të shtatorit të këtij viti, Qeveria shqiptare iu përgjigj këtij Partneriteti me një Plan Veprimi Kombëtar, ku në mënyrë të detajuar janë paraqitur të gjithë hapat administrative dhe ligjore për adresimin në kohë dhe cilësi të çështjeve të identifikuara në dokumentin e BE-së. Në mënyrë më specifike, Qeveria ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmerinë për të vazhduar punën me institucionet përkatëse të specializuara për garantimin e zgjedhjeve të vitit 2005, plotësisht në përputhje me standartet ndërkombëtare të demokracive të përparuara".
Duke folur për zhvillimet ekonomike të rajonit, zoti Nano u shpreh se politikat e zhvillimit ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh si problematikat që mbart rajoni ashtu edhe prioritetet specifike të çdo vendi, janë më të frytshme nëse mirëbashkërendohen midis Komisionit Europian, NEQ-it dhe vete vendeve të interesuara. Reformat në infrastrukturë, sipas zotit Nano, mbeten ende një nga prioritetet kryesore të rajonit. "Korridoret që kalojnë në vendet tona si ai Adriatiko-Jonian dhe Korridori VIII, përveçse janë arterie kyçe për lidhjen e njerëzve dhe mallrave, janë gjithashtu mjeti me të cilin stabiliteti, prosperiteti dhe bashkëpunimi do të vazhdojë të lëvizë nëpër vendet e rajonit". Në këtë kuadër, Kryeministri Nano u shpreh se NEQ-i duhet të forcojë bashkëpunimin me aktoret dhe Nismat e tjera rajonale si SEECP dhe Paktin e Stabilitetit, të cilat gjithmonë e më tepër po konfirmohen si forume të nxitjes së "Ownership-it" rajonal dhe daljes me iniciativa të përbashkëta, konkrete.
Në përfundim, zoti Nano shprehu mbështetjen për miratimin e Dokumentit "Për rotacionin e Presidencës pas vitit 2005", si një instrument që u ofrohet vendeve që ende nuk e kanë ushtruar këtë Presidencë, për të nxitur një rol gjithnjë e më aktiv e të përgjegjshëm brenda strukturave të Nismes, si dhe për të promovuar kapacitetet dhe angazhimin në proceset bashkëpunuese e integruese. Duke qene se Shqipëria do të jetë i pari vend që do të përfitojë nga kjo mundësi, zoti Nano siguroi për angazhimin maksimal në realizimin me sukses të kësaj sfide të rëndësishme për politikën tonë të jashtme dhe vizibilitetin e kapaciteteve tona.
Gjithashtu, gjatë punimeve të këtij samiti, Kryeministri Nano ka patur takime të veçanta me homologë të tij si me kancelarin e Austrisë Volfgang Shussel, Kryeministrin e Polonisë Marek Belka, Kryeminstrin e Kroacisë Ivo Sanader, atë të Sllovakisë Mikulash Dzurinda etj.