E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niko Kanxheri: “Netet pa hene ne jeten time”



Petrika GROSI
Personazhi i sotëm në “Albania Weekend”, i cili tregon mbi jetën e vet, ëndrrat, zhgënjimet, pengjet, familjen, marrëdhëniet me prindërit dhe me fëmijët, planet për të ardhmen, momentet e bukura e të vështira, është pedagogu dhe aktori i njohur korçar, Niko Kanxheri. Sa i takon aktualitetit, mund t’ju zbulojmë se së fundi Kanxheri ka nisur xhirimet me regjisorin Joni Shanaj për një tjetër prodhim kinematografik shqiptar, i cili paraprakisht duket mjaft interesant.

Sapo ka nisur puna për një film të ri...

Pata para një viti një ftesë nga Joni Shanaj për të marrë pjesë në një projekt të tijin. E mora këtë konspekt skenari nga Joni pa i dhënë fjalën nëse do të hyja apo jo në xhirime. Pastaj dolën në pah ato kundërshtimet e mia të para për skenarin. Fati i mirë që skenari u ripunua për një vit dhe tani është gati për punën. Të them të drejtën, ndonjë gudulisje, siç e kanë ves profesional aktorët, fillimisht nuk pata. Motivi kryesor që u dorëzova dhe pranova ishte se e njoh Jonin që të vogël, jam mik me prindërit e tij, Mevlanin dhe Natashën. Bëra një lloj barazimi, është një dashuri në mënyrë krejt tjetër; jo më si një regjisor dhe aktor që bëjnë kontratë së bashku, por kisha dhe një dashuri gati prindërore. Kështu, kundërshtitë e mia u zhbënë dhe pranova pa pyetur çfarë kushtesh ka, çfarë rroge etj. Bëra një lloj kontrate edhe me drejtuesit e mi të punës që të hyj në këtë film pa dëmtuar mësimin në Akademi.

ǒmund të thoni për personazhin tuaj?

Subjekti është marrë nga koha jonë. Ndesha në skenar një lloj qëndrimi disi ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i shohim skenarët në përgjithësi. Ndjeva tendencën për një këndvështrim krejt tjetër. A jam dakord unë? Kjo nuk ka të bëjë pasi është krijimi i Joni Shanajt dhe unë jam 99 për qind i gatshëm për ta zbatuar. Flitet për një mjek që punon në repartin e onkologjisë, atje ku bëhet përleshja më e ashpër me vdekjen, me kancerozët. Ai është ndarë nga gruaja dhe produkti i martesës është i biri që ka studiuar jashtë për farmakologji. I ati i hap një farmaci që djali të punojë dhe ndërtojë jetën e vet. Personazhi im është një njeri i suksesshëm në punë, një individ që ka nevojë për dashuri, por ndien në të njëjtën kohë edhe servilizmin e të tjerëve. Megjithatë, kjo është pjesë e jetës. Vjen një moment që ai lidhet me një vajzë të re studente, e cila më pas do të ketë një histori edhe me të birin... Filmi ka nuanca fataliteti dhe në fund mbyllet në mënyrë tragjike. Regjia, autori duket sikur duan të japin britma, një thirrje të fuqishme, që kështu nuk mund të ecet më.

Ky trekëndësh dashurie a nuk e ngarkon pak filmin? Ngjan më tepër si skenat e telenovelave. Sa i besueshëm do të jetë filmi për publikun?

Në kohën e realizimit ka zbulime të reja, hiqet dorë nga ndonjë gjë apo shtohet diçka tjetër. Nuk është më arkitektura në letër, por do të ketë një mjedis më konkret.

Filmi do të ketë edhe skena erotike, apo dashurie le t’i quajmë. A do t’i bëni të gjitha çfarë do t’ju kërkojë regjisori, pra si do t’i përballoni dhe sa e ndieni paragjykimin nga vetja dhe të tjerët?

Skenat e dashurisë, që janë në funksion të skenarit, nuk duhet të merren si erotike. Nëse do të flasim për skena të tilla, po të kemi parasysh filmat e huaj, do të kishim shembuj që të shkëputur nga filmi do të ishin alarmante. Kur këto skena janë qëllim në vetvete dhe bëhen provokim në sallë, atëherë janë të papranueshme.
Jam i bindur që regjisori Joni Shanaj e ka parasysh se si mund të trajtohet një skenë e tillë.

Marr shkas nga një artikull në shtypin e huaj që ironizonte dashurinë shqiptare në kinemanë e para viteve ’90. Ju si aktor që i përket atij brezi aktorësh, çfarë do të thoshit mbi këtë problem?

Unë për vete ndoshta ende nuk mund t’i dorëzohem një shfaqjeje të tillë me moshën që kam, shqetësimet dhe botëkuptimin tim. Por, brezi i ri i aktorëve e ka kapërcyer këtë mentalitet të vjetër. Ajo lloj dashurie, zhveshjeje apo erotizmi është tejet funksional dhe aktorët dorëzohen paqësisht, pa bërë zhurmë dhe “obobo”. Ndoshta kjo lloj ndjenje ka hyrë pak me sforco, por rëndësi ka që ka hyrë. Sa i takon brezit tonë, e kemi të vështirë, por në rast se do të kërkohet gjithçka varet nga guximi krijues i artistit. Megjithatë, nëse një skenë erotike është domosdoshmëri për t’u realizuar, bë bast se një aktor nuk pengohet ta realizojë. Mos shkoj më larg, por te filmi “Vdekja e kalit”, aktori Timo Flloko ka një skenë shumë intime me Raimonda Bulkun. Aty nuk ka asgjë të keqe pasi ishte domosdoshmëri në funksion të dhënies së idesë një skenë e tillë.

Si ndodhi që i hytë aktrimit?

E kam pasur si pasion që në vitet e gjimnazit. Ndoshta ka qenë rastësi, se ndonjëherë rastësitë kthehen në domosdoshmëri. Atë kohë gjimnazet e Korçës konkurronin me njëri-tjetrin përmes shfaqjeve. Regjisori Pirro Mani vinte dhe punonte me amatorët dhe unë isha nga kryesorët e gjimnazit që e pëlqeva, e dashurova këtë punë. Në fund të gjimnazit na jepej një fletë me tre alternativa, ku pyeteshim se përse donim të studionim. Unë në të tria shënova “A. Moisiu”. Një ditë më vjen një grup mësuesish bashkë me drejtorin. Kujtova se kisha bërë ndonjë gabim që nuk e dija dhe u trondita kur e pashë këtë komision. Mamaja më thërret lart dhe shoh se në kuzhinë kishin ardhur mësuesi i kimisë, mësuesja e letërsisë, fizikës, biologjisë. Papritur drejtori nxjerr fletushkën që unë kisha mbushur dhe më thotë: “Çfarë janë këto? Karagjoz do të bëhesh ti?” Pastaj hidhet mësuesja e letërsisë, që kishte mbaruar në Francë, Dhimitra Maliqari: “Niko, ti duhet të vesh te letërsia, se je njeri që shkruan dhe lexon shumë”. Më tej ia kthen mësuesi i kimisë, duke thënë se duhet të vazhdoja për kimi, pasi bëja detyrat më të mira të kursit; po kështu edhe ajo e biologjisë... Më vinte çudi që mësuesit nisën të grindeshin se cilën degë duhet të zgjidhja unë. Një moment babai i ndërpreu dhe tha se nuk do të më detyronte, por do të zgjidhja atë që doja. Me kokën e ulur përsërita me gjysmë zëri se më pëlqente aktrimi. Kështu filloi rruga ime. Erdha konkurrova në Tiranë dhe kam pritur me ethe që të vinin rezultatet. Më vonë pashë se e kisha fituar konkursin dhe në vitin ’65 erdha të bëja shkollën në Tiranë. Kanë kaluar vite, por them se nuk jam aspak pishman që ndoqa këtë rrugë. Ndonjë gjë të madhe ndoshta nuk kam bërë, por e kam kënaqësi zanatin tim. Fati i madh që në vitin 1987 u largova nga Radiotelevizioni, ku punoja. Një vit rresht drejtoria nuk më la të shkëputesha. Aty qëndrova që nga viti 1970, 5 vjet në Radio, një vit bëra kurs për regji filmi pranë Kinostudios dhe më pas vazhdova punë në redaksinë e filmit artistik televiziv. Bëra dhe një film, i cili për çudi nuk ekziston. U binda që regjisor nuk jam dhe që nga ajo kohë nuk i afrohem më regjisë.

Si i përjetuat vitet ’70, Revolucionin Kinez dhe Plenumin e famshëm që tronditi gjithë vendin?
Ishte një tërmet. Gazetarët, redaktorët, spikerët dhe të gjithë punonjësit nisën të zbrazin sirtarët nga muzika, librat e ndaluar dhe të kontrollonin barsetat se mos u ishin zgjatur. Unë nuk jam shqetësuar shumë. Dhe kur dikush më pyeti se ç’do të ndodhte me ne, iu përgjigja se po shemb murin që kam brenda meje. Në punë pastaj isha tepër korrekt, aq shumë sa më përgojonin pikërisht për këtë gjë. Kam punuar ditë e natë për 5 vite në Radio dhe 13 vjet në Televizion dhe nuk mbeti asgjë. Më gërryen ato ingranazhe pa bërë asgjë. Më ka mbetur peng ajo kohë. Gazetaria dhe regjia nuk më shijonin sepse të gjitha gjërat ishin të porositura nga mëngjesi deri në darkë. Gjithçka kontrollohej pa pasur hapësirë krijuese. Në ’87-n gjeta rrugën të shkëputesha prej Televizionit për të ardhur si pedagog në Akademi.

Çfarë do të bënit sikur të ktheheshit prapa në kohë?

Do të ikja menjëherë nga RTSH-ja në terrenin tim. Unë jam aktor.

Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj?

Ka qenë ardhja në Tiranë. Bëra një valixhe dhe erdha në Tiranë, i emëruar në Radio. Erdha, por nuk kisha çati mbi kokë. U bë pasaportizimi, por isha pa shtëpi. Jam sorollatur konvikteve të studentëve dhe kam fjetur kaq vjet ilegalisht. Me urdhër të Mehmet Shehut, mbi krevatin ku flija unë, gjeta një letër që thoshte se të gjithë ata që s’janë të universitetit duhet të largohen urgjentisht. Kjo histori shkoi deri aty sa fillova të prek të vërtetat. Kuptova se ky shtet që unë nuk i kisha hile, nuk qe i imi. Më pas tentova ta lë Tiranën dhe të kthehem në Korçë. Ishte viti ’74. Bëra një kërkesë për t’u larguar, të cilën ia çova dorazi drejtorit të Radios, Klimi Misa. Ai kishte qenë partizan bashkë me babanë tim. Më pyeti çfarë ishte ajo letër dhe i thashë se isha rrugëve dhe doja të kthehesha në Korçë. Ai e hapi letrën, e pa dhe pa më kthyer përgjigje e grisi letrën dhe më tha: “Po mirë, kështu dorëzohen burrat?! Ne do ta gjejmë një zgjidhje për të gjithë ju, se jeni 17 veta në këtë situatë”. Sigurisht, kjo nuk u bë menjëherë. Pas disa vitesh, në vend të tij erdhi gruaja e Manush Myftiut, Nefoja, dhe ajo ndërmjetësoi që të merrnim një hyrje pas Shkollës së Bashkuar, ku jetonim 9 beqarë. Dy nga shokët nuk duruan dot dhe ikën që atje, ndaj unë mora në dhomë të fejuarën. Aty kaluam pesë vjet. Patëm probleme, se nuk donin që të vinte e fejuara, pasi aty ishte pallat për beqarë. Unë insistova dhe i binda të tjerët se nuk do të kishin shqetësime.

Po në krijimtari, ç’mund të kujtonit ndonjë moment të vështirë?

Vështirësia e parë në krijimtarinë time ka qenë propozimi i parë që më është bërë për të luajtur në filmin “Malet me blerim mbuluar”. Ishte një rol i vogël fare, një italian i mbetur në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë. Përpara Pallatit të Kulturës, Qerim Mata, asistenti i filmit, erdhi me një copë letër në dorë dhe më tha se Dhimitër Anagnosti kishte propozuar emrin tim që të luaja një rol në këtë film. E mora letrën dhe e pashë. Aty brenda meje filluan të bien kambanat. Pashë dramën e jashtëzakonshme të atyre djemve të rinj, të marrë nga nënat e tyre dhe të sjellë në një vend të huaj për të luftuar me një karabinë mbi shpatulla. U tremba dhe i thashë asistentit që nuk isha i aftë për ta bërë një rol të tillë: “Një minutë është atje, po ta llogarisësh tamam, por ka brenda tij si rol një botë të tërë”. Mora të lexoj Petro Markon, Ismail Kadarenë dhe nisa të gërmoja. Gjatë kësaj kohe insistoja që mos ta bëja këtë rol, derisa u detyrua Dhimitër Anagnosti dhe ma mbushi mendjen të bëja një kinoprovë të vogël për hatrin e tij. Më pas iu përvesha punës duke rikujtuar gjithë shkollën e bërë dhe teorinë e punës. Me një ngërç të tmerrshëm u nisa për në Gjirokastër, ku pas disa ditësh nisën xhirimet.

Pra, vetëm një minutë film ju ka munduar kaq shumë?

Dy muaj. M’u dha urdhër që të rri pa rruar e pa qethur, që grimieri ta punonte maskën time në funksion të rolit. Mbaj mend që dilja vetëm natën me jakën e ngritur që më mbulonte fytyrën. Një mbrëmje, siç po rrija në park, dy burra më shikojnë dhe njëri prej tyre thotë: “Ore, ç’është ky?!” Më zunë pas krahu dhe më shpunë në polici. U mundova të shpjegoja se isha aktor, por s’ma vunë shumë veshin. Atëherë dihej që pa rruar e pa qethur në rrugë mund të lejoheshe vetëm po të ishe i çmendur. Njëherë tjetër, një punonjës i Sigurimit më mori dhe më plasi sërish në polici. Gjatë kësaj kohe më vinte dhe rëndë për pamjen time, pavarësisht se e kisha një leje që të rrija ashtu. Nëse sot nuk bën përshtypje ky detaj, në atë kohë ishte e pakonceptueshme si normë.

Si u njohët me gruan? Ishte mblesëri, apo dashuri?

Jo fort dashuriçka të stërzgjatura, takime, puthje etj. Unë jam martuar 33 vjeç. Prita derisa ta ndiej nevojën për këtë gjë dhe e bëra. Mbaj mend si tani që kam qenë me një shok te sheshi “Skënderbej” dhe i thashë: “Kam nevojë për ta ndezur vatrën. Ndiej që u lodha”. Kisha dëgjuar një fjalë të urtë, që kaun dhe gruan duhet t’i marrësh nga vendi yt, se t’i dinë huqet. Gjithçka e bëra me një shpejtësi marramendëse. Ajo ishte stomatologe. Mora një kontakt me të dhe pastaj shkova i bëra vizitë në shtëpi. Ajo u befasua me këtë lloj guximi dhe shpejtësie, por unë isha bindur se ajo ishte njeri që do shtëpinë, njerëzit që ka pranë, jo kaq e emancipuar dhe e jetës moderne, njësoj si unë. Ajo nuk donte që të hyja në shtëpi. U ngjita lart. Aty ishte vetëm gjyshja. Na priti mirë. I kërkova kafe, ajo më dha vetëm një gotë qumësht. Erdhën pastaj prindërit. I thashë që jam artist, punoj në Radio dhe “kam lidhje me vajzën tuaj, ndaj kam ardhur që të marr një përgjigje nga ju. Në rast se jo, kam marrë një rogë 7200 lekë, marr një taksi dhe ikim të dy në Tiranë”. Të dy qeshën. Kanë kaluar vite dhe tani jemi duke u plakur, por mbaj mend vjehrrin që thoshte për bijën e tij të dytë. “Aman ore, të gjendet një si puna jote, të vijë këtu dhe fap-fap t’i mbarojë gjërat shpejt e shpejt”.

Marrëdhënia me fëmijët?

E kam vrarë mendjen gjithmonë për ta qëkur ishin të vegjël. Nisa të lexoja shumë atëherë për të kuptuar se çfarë është të bëhesh një prind i mirë. Ata kurrë nuk kanë dëgjuar moral prej meje se si duhet të vepronin. Vetë e kam dhënë i pari çdo shembull se si duhet të vepronin. Kur u rritën u thosha me shaka, dhe shakaja është gjysma e së vërtetës: “Ka ardhur koha të bëjmë divorcin bashkë...”.

Po raporti me prindërit tuaj, si ka qenë?

Molla bie nën mollë. Kështu i thonë një fjale nga anët tona. Babai kurrë nuk më ka bërë ndonjë mbledhje që të dëgjoja moral nga ai. Madje ka qenë tepër i heshtur me mua dhe qëndronte disi larg. Por, kur vinte puna që dilte një dëshirë e imja, ai qe i pari që më mbështeste. Nëna ishte ndryshe. Ajo edhe moral më ka bërë, më ka sharë, më ka ndaluar për shumë gjëra, ndërsa babai jo. Sa më shumë që shkojnë ditët, aq më tepër më shtohet dhe mua respekti për të dhe them se kam qenë me fat që ky njeri ishte rastësish babai im.

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›