E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e makinës së Bazes, akuza: Riekspertim për shkakun e ngjarjes

 

TIRANE – Prokuroria e Tiranës vendosi dje të përsërisë ekspertizën e bërë nga policia dhe zjarrfikëset lidhur me djegien e makinës së gazetarit Mero Baze. Nga burime zyrtare të Prokurorisë së kryeqytetit, mësohet se ditën e djeshme ka mbërritur në këtë institucion dosja penale e hartuar nga policia lidhur me ngjarjen e ndodhur më 31 dhjetor 2008, rreth orës 03:00, kur automjeti i gazetarit u dogj në rrethana ende të paqarta. Disa orë pas ngjarjes, policia me anë të një deklarate zyrtare deklaroi se nga akti i ekspertimit kishte rezultuar se shkak i ngjarjes ka qenë një shkëndijë elektrike në makinën tip BMW me targë TR 5497 K. Prokuroria e Tiranës konfirmoi se një raport i tillë ndodhej në dosjen e dërguar akuzës nga policia, megjithëse ajo ekspertizë nuk do të merret parasysh. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës në kryeqytet, mësohet se prokurori i çështjes ka kërkuar dje kryerjen e një ekspertize të dytë nga specialistë të pavarur për verifikimin e shkaqeve dhe rrethanave në të cilat është djegur makina e gazetarit Baze. Raporti pritet të përfundojë pas përsëritjes së kqyrjes në makinë për origjinën e zjarrit. Gazetari Baze publikisht e ka hedhur poshtë variantin e policisë së Tiranës, e cila deklaroi se shkaku i ngjarjes ishte një shkëndijë elektrike në automjet.                                  tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›