Gërdeci, Ina Rama analizë me hetuesit
Trazhgim Sokolaj
Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit zhvilloi dje një takim-analizë lidhur me hetimet që po zhvillohen për ngjarjen që shkaktoi 26 të vdekur, 300 të plagosur dhe rreth 20 milionë euro dëm ekonomik. Prokurorët dhe oficerët gjyqësorë që bëjnë pjesë në grupin e hetimit, për më tepër se një orë mësohet se kanë qëndruar në takimin ku kanë qenë të pranishëm drejtuesit e hetimeve të dosjes “Gërdeci”, zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe vetë Kryeprokurorja Ina Rama. Në takim mësohet se gjashtë prokurorët dhe të gjithë oficerët që bëjnë pjesë në grupin e hetimit, kanë raportuar për ecurinë e hetimeve në secilin prej linjave të ndara ku po bëhen verifikime. Që në momentet e para të hetimit, Prokuroria i ka kanalizuar kërkimet e saj në lidhje me rrethanat në të cilat ndodhi tragjedia në ish-fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec, dëmin e shkaktuar shtetit dhe abuzimet e mundshme në këtë veprimtari si dhe mundësinë e trafikimit apo shitjes së paligjshme të armëve dhe municioneve të ushtrisë shqiptare.
Provat për Mediun
Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se gjatë takimit të djeshëm të grupit hetimor të dosjes “Gërdeci”, një pjesë e mirë e analizës i është kushtuar provave dhe dëshmive që hedhin dritë mbi pozicionin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në ngjarjen e 15 marsit 2008. Drejtuesit e hetimit kanë dëgjuar me vëmendje raportimin e hetuesve dhe prokurorëve, ndërsa mësohet se më pas janë lënë detyra konkrete për t’u përmbushur në drejtim të plotësimit të provave me burime të ndryshme, si dhe kryerjes së verifikimeve shtesë që ndihmojnë në sqarimin e pozicionit të ish-ministrit Mediu, aktualisht pa imunitet parlamentar për shkak të tragjedisë së Gërdecit. Burimet nga akuza thanë se gjatë takimit të djeshëm është diskutuar për vendimmarrje konkrete lidhur me pozitën penale të ish-ministrit Mediu, por më tej nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera për shkak të sekretit hetimor.
Shpejtimi i hetimeve
Kryeprokurorja Ina Rama si dhe drejtuesit e hetimit mësohet se kanë kërkuar nga grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit intensifikimin e veprimeve dhe realizimin e procesit brenda afatit ligjor. Nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, konfirmohet se dosja “Gërdeci” është ende brenda afatit hetimor të ligjshëm që përfundon në mars 2009, një vit pas tragjedisë. Ndërkaq, organi i akuzës, duket se ka më tepër kohë të hetojë ndaj ish-ministrit Mediu, pasi afatet hetimore ndaj tij kanë nisur në momentin e heqjes së imunitetit nga Parlamenti, tre muaj pas tragjedisë. Organi i akuzës tha se aktualisht është në afatin e ligjshëm të hetimit dhe paraburgimit për tre personat që janë arrestuar me akuzat për vrasje të më shumë se dy personave në Gërdec. Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, biznesmeni Mihal Delijorgji dhe drejtori i fabrikës së çmontimit, Dritan Minxolli, ndodhen në qeli që prej 18 marsit 2008, kur u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.
Prokuroria e SHBA i përgjigjet letërporosisë për “SAC” e “AEY”
TIRANE – Amerikanët dërgojnë përgjigjen e letërporosisë së “Gërdecit”. Burime pranë hetimit të kësaj çështjeje pohojnë, se pak ditë më parë ka mbërritur në Tiranë përgjigja e autoriteteve amerikane të drejtësisë, të cilëve u është kërkuar nga Prokuroria shqiptare të verifikonin nëse të pandehurit e dosjes “Gërdeci” kishin kryer veprime të paligjshme në këtë shtet apo kompanitë “AEY” dhe “SAC”, që kishin marrëveshje me “Përparimi” dhe “Albdemil”, të kishin probleme për aktivitetin në Shqipëri. Me faktin e mbërritjes së letërporosisë nga SHBA, është njohur mbrojtja dhe vetë të pandehurit, të cilëve u është pohuar nga organi i akuzës se kjo ishte një nga arsyet e zgjatjes së afateve të hetimit të kësaj çështjeje deri në muajin mars. Burime nga çështja pohojnë se amerikanët janë pyetur nga pala shqiptare për kontratat e lidhura mes Delijorgjit dhe kompanive amerikane për furnizimin me municione të ushtrisë afgane, cilësinë dhe sasinë e këtyre municioneve si dhe kushteve të tjera të kontratës. Po kështu pohohet se dy letërporosi të tjera janë dërguar nga Tirana në drejtim të Qipros dhe Zvicrës, me anë të të cilave pritet të kryhen verifikime në ngarkim të të akuzuarve të kësaj çështjeje, Mihal Delijorgji, ish-president i shoqërive “Albdemil” dhe “Përparimi”; Dritan Minxolli ish-drejtor i këtyre shoqërive dhe Ylli Pinari, ish-kreu i kompanisë shtetërore “MEICO”. fa.ma.