I ftohti, 50% e shkollave të Tiranës, pa ngrohje
Rreth 50% e shkollave 9-vjeçare e gjimnazeve të kryeqytetit nuk kanë sistem ngrohës. Këtë e pranojnë vet nxënësit, por njëkohësisht dhe burime nga Bashkia e Ministria e Arsimit. Me gjithë premtimet e bëra, ky problem nuk ka marrë ende një zgjidhje. Për rrjedhojë procesi mësimor bëhet në kushte mjaft të vështira. Këto ditë me temperatura nën zero, nxënësit e kanë ndjerë edhe më shumë mungesën e ngrohësve. E vetmja mundësi për të përballuar të ftohtin kanë qenë paratë nga xhepi për të blerë ngrohëse me korrent. E vetmja masë që është marrë nga drejtoritë e shkollave, për të zbutur sadopak problemin, është shkurtimi i orëve të mësimit. Në gjimnazin "Eqerem Çabej", nxënësit përballen me këtë fenomen prej disa vitesh. "Klasat janë shumë të ftohta dhe është e pamundur që të bëhet mësim, nuk mbajmë dot stilolapsin se na thahen duart", thotë një nxënës i kësaj shkolle .Ai pohon se disa klasa kanë mbledhur lekë dhe kanë blerë pajisjen për t'u ngrohur. "Nuk bënim dot mësim me këto temperatura shumë të ulëta, ramë dakord si klasë për të blerë një rezistencë", pohoi një tjetër nxënës i shkollës. Në këtë godinë nuk është vënë dorë jo vetëm në sistemin e ngrohjes por shumë klasa janë edhe pa xhama. Të njëjtin problem ka dhe shkolla "Ismail Qemali", e cila prej disa vjetësh, në çdo dimër, e ka të pamundur zhvillimin normal të mësimit. Edhe këtu zgjidhjen e kanë gjetur nxënësit duke rënduar xhepat e prindërve të tyre. "Është shumë ftohtë po klasa ime nuk ka blerë rezistencë, ndërsa disa të tjera po. Arsyeja që nuk e kemi marrë është shumë e thjeshtë, se nuk mund t'i detyrojmë shokët dhe shoqet që të sjellin lekë, pasi jo të gjithë i kanë mundësitë. Pastaj tek e fundit kjo nuk është detyra jonë". tha një nxënëse e këtij gjimnazi. Edhe kur ata arrijnë t'i blejnë vetë pajisjet ngrohëse, ka raste që duhet të bëjnë disa orë të tëra në të ftohtë, pasi mungon energjia elektrike. "Shpesh ikin dritat nga ora 11 e deri kur mbaron mësimi. Na rroftë që kemi dhënë lekët se prapë ngrijmë në klasa. Mësuesit nuk kanë ç'të bëjnë, drejtoria nuk ka çfarë zgjidhje të ofrojë", shprehet një gjimnaziste te "Ismail Qemali. E njëjta situatë edhe për shkollat 9-vjeçare. Te "Mihal Grameno", dy ditë më parë njëra prej mësuesve është detyruar t'i dërgojë në shtëpi nxënësit, pasi në klasë të gjithë dridheshin. "Nuk mund ta vazhdoja orën e mësimit. Të shohësh fëmijë në klasë të 4-t, që u dridhet buza e nuk përqendrohen dot, e të vazhdosh shpjegimin, është jo normale", u shpreh një nga mësueset e kësaj shkolle. Nxënësve do t'u duhen që edhe dy dimrat që pasojën, që t'i kalojnë në të njëjtat kushte. Paskësaj pritet që në të gjithë arsimin parauniversitar të këtë një sistem të unifikuar ngrohje, atë me kaldajë. Këtë kanë pohuar burime nga Bashkia e Tiranës. m.sh