E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga për mashtrim biznesmenit

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Arrestohet për herë të dytë pronari i ish-kombinatit të tekstileve në Berat.Agim Matuka akuzohet se ka falsifikuar dokumente për të mashtruar organet shtetërore mbi pasurinë e përvetësuar prej tij. Ndalimi i tij u bë të hënën në Rinas, vetëm 30 minuta pasi ishte lëshuar urdhri i arrestit, pasi sipas burimeve të policisë po tentonte të largohej nga vendi. Burime të policisë bëjnë të ditur se u ekzekutua urdhri i lëshuar nga Prokuroria për 50-vjeçarin Matuka, banues në lagjen “18 tetori” në Durrës. Akuza që rëndon ndaj tij është ajo e mashtrimit me pasoja të rënda e falsifikimit të dokumenteve më shumë se një herë. Sipas organit të akuzës, prej kohësh ai hetohej për shkelje, madje 6 vjet më parë ishte arrestuar e më pas lënë i lirë nga gjykata. Hetimet rinisën sërish ndaj tij, pasi kishte dyshime të forta se biznesmeni kishte mashtruar duke falsifikuar dokumentet në blerjen e ish-kombinatit tekstil. Agim Matuka rezulton se është aksioner i 61 për qind të kombinatit, si repartet xhakarta, tezgjahu, filaturës etj. Burimet bëjnë të ditur se ai kishte mashtruar organet shtetërore duke falsifikuar dokumentet në uljen e numrit të makinerive, reparteve dhe prodhimeve tekstile që ndodheshin aktualisht në magazinën e këtij kombinati. Mësohet se ky shtetas ka dhe një fabrikë në Durrës po të këtij profili. Nga hetimet e kryera nga oficerët gjyqësorë pranë Prokurorisë janë zbardhur vjedhje të mëdha. Kryeprokurori i Beratit, Xhemal Saliasi, tha për gazetën se ky person gjatë ndarjes ka marrë sipërfaqe toke, ndërtime e pajisje më shumë se sa ka paraqitur në aktivitetin e ndarjes. “Ai zotëron më shumë se sa aksionet që ka paraqitur pranë organeve shtetërore, kur duhej të merrte vetëm pjesën e tij. Në këtë rast ka abuzuar në kurriz të shtetit”, pohon Saliasi. Sipas kryeprokurorit, organi i akuzës kishte kohë që po hetonte veprimtarinë korruptive të Matukës, i cili nëpërmjet falsifikimeve ka përfituar shumë sipërfaqe të mëdha toke e repartesh. Në magazinat e këtij kombinati kishte një sasi të madhe prodhimesh nga puna e bërë vitet e kaluara, të cilat gjatë privatizimit nuk janë pasqyruar nga ky biznesmen. I dyshimtë ka mbetur fakti se kush e ka lajmëruar Matukën për firmosjen e urdhrit nga Prokuroria për arrestimin e tij. Mësohet se vetëm në orën 14:00 të së hënës, organi i akuzës në Berat firmosi arrestimin e tij. Por, në këtë kohë, 50-vjeçari kishte mundur që nga Durrësi të nisej drejt Rinasit për të fluturuar jashtë vendit. Lëvizjet e tij janë pikasur në kohë, duke u njoftuar komisariati i Rinasit, i cili ka ndërhyrë duke prangosur biznesmenin. Për herë të dytë atij i duhet të përballet me të njëjtën akuzë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›