Emigrantët, 70% e parave shpenzohen për ushqime
Fabiola Çela
Shumë familjeve shqiptare jetojnë me të ardhurat që ju dërgojnë emigrantët. Pjesën më të madhe të të ardhurave familjet i përdorin për të blerë mallra të konsumit të përditshëm.Për familjet që jetojnë në zonat rurale, të ardhurat e emigrantëve janë burimi kryesor i jetesës së tyre. Por kriza globale që ka prekur shumë vende në botë, në Shqipëri do të reflektohet në rënien e remintacave. E thënë ndryshe, emigrantët që jetojnë dhe punojnë jashtë kufinjve tashmë dërgojnë më pak para tek të afërmit e tyre në Shqipëri dhe kjo si pasojë e krizës financiare. Por rënia e dërgesave të emigrantëve ka vënë në vështirësi jo vetëm familjet shqiptare por edhe vetë ekonominë e vendit. Banka e Shqipërisë ka kryer një vrojtim mbi rëndësinë e dërgesave të emigrantëve.
Të ardhurat
Të ardhurat e emigrantëve, për një periudhë të gjatë kohe, kanë rezultuar jetike për vendin tonë. Duke iu referuar një vrojtimi për tremujorin e parë të vitit 2008 të Bankës së Shqipërisë, rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e këtyre të mësipërme jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përfituar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj. Pjesa më e madhe e të ardhurave nga emigrantët, për tremujorin e parë të vitit 2008, janë përdorur rreth 70 për qind për qëllime joproduktive. Kështu, rreth 48 për qind e dërgesave janë orientuar drejt shpenzimeve për konsum, që përfshin plotësimin e nevojave të përditshme të familjes me ushqim, veshmbathje dhe lloje të tjera të shpenzimeve për konsum si orendi shtëpie etj.. Rreth 16 për qind e kursimeve përdoren për ndërtimin, rregullimin e ambienteve të banimit, 10 për qind e dërgesave të emigrantëve janë përdorur për edukim dhe trajtim mjekësor. Ndër përdorimet produktive duhet të përmendim që rreth 19 për qind e dërgesave të emigrantëve janë me destinacion investimet e kursimet, rezultat i cili flet për ndikimin ekonomik të këtyre dërgesave në vend. Por të dhënat zyrtare tregojnë se kohët e fundit të ardhurat e emigrantëve nuk janë më në nivelet e dikurshme, pasi emigrantët tashmë dërgojnë më pak para tek të afërmit e tyre. "Natyralizimi i shqiptarëve në vendet e huaja, situata ekonomike dhe financiare e këtyre vendeve edhe ndonjë arsye tjetër ndikojnë negativisht në horizontin afatgjatë. Analizat dhe vlerësimet tona tregojnë se vështirësitë ekonomike, të shprehura në ngadalësimin e ekonomisë, rritjen e papunësisë dhe inflacionit, që kanë përfshirë ekonomitë e zhvilluara, kanë ndikuar edhe në ecurinë e dërgesave, të cilat këtë vit janë rritur më pak se vitet e mëparshme" thuhet në publikimin e Bankës së Shqipërisë. Madje sipas studimeve të Bankës, një ndërprerje e këtyre flukseve do të vinte në vështirësi serioze modelin tonë të konsumit dhe ekuilibrin afatgjatë të sektorit të jashtëm të ekonomisë.