E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e teatrit për 2 javë fillojnë punimet

ELBASAN Në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak një vëmendje e veçantë iu kushtua teatrit ‘Skampa’. Kryetari i këshillit bashkiak, Blendi Himçi, u shpreh se djegia e tij ishte një dëm i madh që iu shkaktua historisë dhe kulturës së Elbasanit. Himçi kërkoi zgjidhje imediate nga ana e bashkisë për ta kthyer këtë objekt në identitet. Ai gjithashtu ka ngritur edhe problemin e djegies së mbeturinave, si një nga shqetësimet më të mëdha për qytetarët elbasanas. Kryebashkiaku Qazim Sejdini deklaroi se brenda dy javëve të para të muajit shtator do të fillojë rindërtimi i teatrit me pjesën e parave që do të mbulohet nga sigurimi i objektit. Ai tha se brenda dy muajve do të duhet të miratohet një fond nga ky këshill, që teatri të mbarojë brenda një kohe të shkurtër. Një pikë e diskutuar ka qenë lidhur me vlerën që mbulon siguracioni i teatrit. Përgjigjja e Sejdinit ishte se siguracioni mbulon vetëm inventarin dhe jo çmimin e tregut, pasi në këtë rast do të duhej një fond shumë i madh sigurimi. Sejdini ka siguruar se do të kthehet tavani i kohës së ndërtimit në vitin 1936 dhe akustika që ka pasur, pasi në bazë të analizave laboratorike kjo është e mundur. F.Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›