E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia zbulon planin e atentatit për hakmarrje në Shalë, tre në pranga

Policia e Shkodrës dhe forcat RENEA kanë parandaluar një atentat për hakmarrje në komunën Shalë. Arrestohen babë e bir dhe një 44-vjeçar, sekuestrohen 5 armë dhe një arsenal municionesh

Policia e Shkodrës parandalon një atentat për hakmarrje, duke çuar në pranga 3 persona dhe sekuestruar një arsenal të tërë armësh e municionesh. Operacioni i koduar “Shenjestra 3” u realizua nga Drejtoria e Shkodrës, të ndihmuar edhe nga forcat RENEA, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një grup personash po planifikonin vrasjen e një pjesëtari të familjes Hasanaj nga Shala. Ndue Tonaj, 68 vjeç, lindur e banues në fshatin Vuksanaj; djali i tij Prekë Tonaj dhe Ndoc Prela, 44 vjeç, kanë përfunduar në pranga si autorë të planit për të eliminuar hasmin e tyre. “Arrestimi i tyre u bë në sajë të një punë të gjatë hetimore, të kryer nga Drejtoria e Policisë Qarku Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Nga hetimet e kryera rezultonte se atentati që po planifikohej kishte si motiv hakmarrjen, pas një konflikti mes autorëve dhe familjes Hasanaj nga Shala e Shkodrës. Pas arrestimit të tre personave të dyshuar, policia dhe specialët e RENEA-s kanë ushtruar kontrolle në shtëpitë e tyre, ku janë sekuestruar armë, tritol e municione të tjera. Pjesa më e madhe e tyre janë sekuestruar në shtëpinë e Ndue Tonajt në fshatin Vuksanaj, ku u gjetën të fshehura tri pushkë, disa kallëpe tritoli dhe një arkë me fishekë. Municionet janë gjetur në oborrin e banesës së Tonajt, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe 20 rrënjë cannabis sattiva, si dhe një qese me fara hashashi. Kontrolli është shtrirë edhe në banesën e shtetasit Prekë Tonaj, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pushkë dhe një pistoletë si dhe një pasaportë e falsifikuar në emrin Nikë Lulaj. Nga strukturat Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore, si dhe u bë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të tre shtetasve të arrestuar. Materialet në ngarkim të të lartpërmendurve do i kalojnë për ndjekje penale Prokurorisë së Shkodrës. Policia lokale bën me dije se deri tani ndaj tre të arrestuarve janë ngritur akuzat e “sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer një vrasje”, “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”, “dëshmisë së rreme para oficerit të policisë gjyqësore” si dhe”kultivimi i bimëve narkotike”. D.Kolaj

Sekuestrime

Tri pushkë

1 armë gjysmëautomatike

1 pistoletë TT

2 kuti metalike me 1200 fishekë

3 kallëpe tritoli 200 gram secila

2 granata dore

3 copë kapsolla elektrike

2 metra fitil zjarr-përcjellës

212 fishekë të ndarë në dy çanta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›