Sekuestrohen 2.2 kilogramë marijuanë, ndalohet poseduesi
Gjirokastër Krahas zhvillimit të operacioneve për asgjësimin e bimëve narkotike policia e Gjirokastrës po punon edhe për goditjen e tentativave të trafikimit të ngarkesave me lëndë narkotike. Së fundi në qytetin e Libohovës, policia ka bllokuar një sasi marijuane si dhe ka ndaluar personin e dyshuar si posedues i saj. Sipas burimeve zyrtare në policinë lokale, efektivat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Sektorin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, kanë ushtruar një kontroll në banesën e shtetasit Tafil Hido, në qytetin e Libohovës. “Ne dispononim informacione të marra në rrugë operative se në këtë banesë mund të kishte lëndë narkotike të paketuar gati për transport”, thonë burimet policore. Gjatë kontrollit të banesës, në një kasolle bagëtish që ndodhej disa metra larg shtëpisë, policia gjeti dhe sekuestroi 2 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike, të dyshuar si marijuanë. “Sasia e lëndës narkotike, në formën e bohçes, ishte mbuluar me disa thasë plastmasi në një cep të kasolles së bagëtive”, thonë burimet policore. Në vijim të veprimeve ligjore efektivat e policisë ndaluan 58-vjeçarin T. Hido, për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Ai ka qenë i skeduar nga policia lokale, pasi më parë është dënuar për veprën penale “mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake”.
B.SH.