Djokovic rrëzon nga froni Nadalin

Serbi Novak Djokovic fitoi titullin e tij të parë në Wimbledon, duke e dëshmuar veten si tenistin më të mirë në botë me fitore mbresëlënëse ndaj Rafael Nadalit.
Djokovic triumfoi 6-4, 6-1, 1-6, 6-3 duke përfunduar epokën e Nadalit si kampion i Wimbledonit, pasi tejkaloi spanjollin si numri i ri një në botë, të hënën. Kjo ishte fitorja e 50-të në 51 ndeshjet e fundit për Djokovicin dhe e pesta e tij rresht kundër Nadalit, këtë vit. Ai u bë serbi i parë që fitoi Wimbledonin,
Grand Slam titulli i tij i tretë pas dy fitoreve në Australian Open. Djokovic edhe para finales të dielën kishte bërë mjaft për t’i garantuar vetes pozitën e parë në renditje, pavarësisht rezultatit. Nadal ishte në seri prej 20 ndeshjeve pa humbje në All England Club dhe konsiderohej favorit përballë Djokovicit për të rrëmbyer titullin e tij të tretë në Wimbledon, por në fund ai nuk kishte përgjigje për serbin, i cili dominoi përballjen.