E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi për Shkodrën, qeveria nis procedurat

Këshilli i Ministrave premton restaurim për veprat publike të dëmtuara

Qeveria nisi dje përgatitjet e dëmshpërblimit për të gjitha familjet të përmbytura në Shkodër dhe në rrethinat e saj. Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave u mor vendimi për ngritjen e komisioneve të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, të cilat ndodhën në ditët e para të dhjetorit. Në vendim theksohet fakti se dëmshpërblimi nuk do të ndodhë vetëm për banesat private, por edhe për ato publike, siç janë shkollat, rrugët apo ujësjellësit e dëmtuar. Ky vlerësim pritet që të përcaktoj edhe fondin e plotë me të cilin do të dëmshpërblehen banorët për dëmet e dëmtuara.

“Komisionet do të fillojnë menjëherë veprimin për vlerësimin e dëmeve në zonën e Shkodrës dhe në zonat e tjera të vendit ku përmbytjet kanë shkaktuar dëme në pasuritë private e publike. Vlerësimi do të shërbejë si bazë për të përcaktuar edhe fondet që do të jepen për zhdëmtim”, theksohet në vendimin e qeverisë. Hapja e rrugës për vlerësimin e dëmeve dhe dëmshpërblimin e tyre vjen pasi situata e rëndë në zonën e Shkodrës dhe të Nënshkodrës konsiderohet si e tejkaluar dhe rreziku i madh tashmë ka kaluar. Pas kapërcimit të situatës, kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se qeveria që ai drejtonte do të merrte të gjitha masat për dëmshpërblimin e plotë të banorëve, sepse në radhë të parë këtë gjë e përcaktonte ligji. Nga ana tjetër, Berisha dëmshpërblimin e ka quajtur një akt moral të domosdoshëm të qeverisë. “Ky është një vend i lirë dhe ka një ligj që quhet ligji i digave, që detyron dëmshpërblimin e plotë të dëmeve të krijuara në zonat nën diga. Ne jemi vend i shtetit ligjor dhe zbatojmë plotësisht ligjet tona. Sikundër ka një moral. Ai që është në fatkeqësi, ndihmohet dhe ky është një moral universal i shoqërive të lira e të qytetëruara. E kemi edhe në ligj, edhe në moral”, deklaroi Berisha pak ditë më parë kur foli edhe për kompensimin e dëmeve të krijuara nga përmbytjet. Por nga ana tjetër, kreu i qeverisë përveç dëmshpërblimit ka folur edhe për një plan të qartë masash që do të merren nga qeveria për të eliminuar rrezikun e përmbytjeve në të ardhmen. Sipas Berishës, qeveria i ka të gatshme projektet e ndërhyrjes dhe do të fillojnë ndërhyrje të fuqishme si në By Pass-in, në Bunë, argjinaturat janë të prokuruara. Po kështu, kreu i qeverisë ka theksuar se fatmirësisht në këtë zonë nuk ka asnjë lloj epidemie të rënë dhe se strukturat e shëndetësisë po bënin të gjitha përpjekjet që një gjë e tillë të mos ndodhte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›