Shkodra, misioni i parë për Arvizu
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ftoi komunitetin ndërkombëtar që të ndihmojë qytetarët e Shkodrës të prekur nga përmbytjet. Gjatë një vizite të zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës, që është e para “dalje” nga ambasada për të që nga marrja e detyrës, diplomati amerikan është shprehur se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar në Qarkun e Shkodrës. Në fillim të vizitës, ambasadori Arvizu ka inspektuar disa nga zyrat e Prefekturës së Shkodrës, të cilat me rastin e katastrofës natyrore janë kthyer në salla operative për të koordinuar të gjitha veprimet e operacioneve të evakuim-shpëtimit dhe dhënies së ndihmave ushqimore.
“Unë erdha në Shqipëri në datën 2 dhjetor dhe situata që gjeta ishte vërtet e trishtë. Doja të vizitoja më parë Shkodrën, por situata ishte emergjente dhe e shtyva vizitën për në një moment tjetër. Gjatë netëve të para kam ndjekur gjithçka dhe ndonëse nuk kuptoja gjuhën shqipe, nuk ishte e vështirë të kuptoje se çfarë po ndodhte. Më preku situata, por më tepër dashuria dhe lidhja që tregonin njerëzit, madje edhe dhe me gjënë e gjallë që përpiqeshin për ta ruajtur”, ka thënë mes të tjerash ambasadori amerikan. Ai shprehu shqetësimin për dëmet e krijuara në fermat e vogla të zonës së Nënshkodrës, ndërkohë që garantoi se banorët do të mbështeteshin nga ambasada amerikane. Deri tani, qeveria amerikane ka dhënë nëpërmjet USAID-it rreth 50 mijë dollarë ndihma për personat e dëmtuar nga përmbytjet në Shkodër.
Ndërkohë situata e përmbytjeve në zonë po vjen duke u përmirësuar. Moti i mirë dhe pa reshje ka ndikuar në uljen e nivelit të liqenit të Shkodrës e për pasojë po zvogëlohet sipërfaqja e tokave të përmbytura. Nga informacionet e fundit rezulton se sipërfaqja e tokës nën ujë ka qenë dje 9.440 hektarë. Ndërkohë që në mjaft lagje të qytetit uji është tërhequr, mbeten problem disa lagje si: “Salo Halili”, “Kiras”, “Livadhet”, “Ajasëm”, “Bahçallëk”. Prezenca e ujit vazhdon edhe në lagjen turistike të Shirokës, ndërkohë që qarkullimi në aksin rrugor Shkodër-Shirokë bëhet vetëm me mjete të larta. Por situata vijon të jetë shqetësuese në komunat e fushës së Nënshkodrës, ku uji pavarësisht se po shënon rënie me disa centimetra, vazhdon të mbajë nën vete banesa të shumta. Kështu komunat e Velipojës, Ana e Malit dhe Dajçit, vijojnë të kenë rreth 70 për qind të territorit nën ujë, duke bërë të pakalueshme edhe akset rrugore që lidhen me qytetin.
Duke iu referuar të dhënave të fundit të raportuara nga Shtabi i Emergjencave, mësohet se janë ende 9 440 hektarë toka nën ujë, 4660 banesa të përmbytura, ndërkohë që 650 të tjera janë liruar nga uji. Ndërkaq vijon kthimi i banorëve në banesat e tyre. Dje, edhe 3800 persona të evakuuar gjatë ditëve të përmbytjeve masive janë rikthyer në shtëpitë e tyre.
Ndërkaq ka nisur puna për dezinfektimin e të gjitha zonave që janë liruar nga uji, ndërsa vazhdon furnizimi me ndihma në ushqime, ujë të pijshëm dhe veshmbathje për banorët e izoluar nga uji. Temperaturat e ulëta po vështirësojnë çdo ditë e më tepër jetesën e tyre.