E Hënë, 2 Nëntor 2026

Do barazojmë pensionet e fshatit me të qytetit

08/02/2005  LSI paraqiti dje strategjinë për shpalljen e minimumit jetik në Shqipëri si dhe për skemat e sigurimeve

"LSI një nga prioritetet kryesore do të ketë reformën e plotë dhe të drejtë të pensioneve"

Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur dje strategjinë për pensionet në Shqipëri, si dhe për shpalljen e minimumit jetik. Në një takim të zhvilluar me përfaqësuesit e pensionistëve, kreu i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se me ardhjen në pushtet të kësaj partie, në Shqipëri nuk do të ketë më dallime të pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Reforma, sipas LSI-së, do të realizohet nëpërmjet rritjes së numrit të personave që paguajnë sigurimet shoqërore si dhe nëpërmjet mbledhjes reale të taksave.

Strategjia

Sipas krerëve të LSI-së, reforma në pensione do të arrihet nëpërmjet rritjes së numrit të kontribuesve në skemat e pensioneve, nga rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit, pasi dihet që niveli i të ardhurave në raport me prodhimin e përgjithshëm në vendin tonë është të paktën 10 deri në 13 për qind më e ulët sesa në krahasim me Maqedoninë, e cila ka nivelin pothuajse më të ulët në të gjithë vendet e rajonit tonë. Reforma arrihet "nëpërmjet zgjerimit të bazës së mbledhjes së tatimeve, pra duke rritur numrin e bizneseve që tatohen dhe në veçanti duke tatuar të gjithë ato biznese, që për shkak të lidhjeve të forta me politikën dhe pushtetin, i shpëtojnë tatimeve. Nëpërmjet reformimit dhe menaxhimit më të mirë të sistemit të sigurimeve, nëpërmjet forcimit të rolit të Institutit të Sigurimeve si dhe nëpërmjet forcimit të sistemit gjyqësor dhe luftës kundër korrupsionit", thuhet në strategjinë e LSI-së.

Qëndrimi

Meta u shpreh në fjalën e tij se “dua t’ju siguroj të gjithëve se LSI, një nga prioritetet e saj kryesore do të ketë një reformë të plotë dhe të drejtë të pensioneve, e cila në radhë të parë konsiston në heqjen dhe eliminimin e të gjithë diskriminimeve, që ekzistojnë në sistemin e pensioneve dhe në veçanti në këtë drejtim ne angazhohemi për të bërë transparent procesin e llogaritjes dhe të shpalljes së minimumit jetik, duke ndërtuar me partnerët socialë një dialog të pandërprerë, konstruktiv dhe konkret. Njëkohësisht ne angazhohemi që menjëherë në rast se LSI, vjen në pushtet të eliminojmë diskriminimin për të gjithë ata pensionistë që kanë dalë në pension para vitit 1993, pasi ne mendojmë që ky diskriminim është i patolerueshëm dhe është tërësisht një padrejtësi sociale". Meta theksoi se ndryshimi i madh i pensioneve të fshatit me të qytetit, është një tjetër diskriminim, i cili thellon pabarazinë, ndërkohë që kontributet kanë qenë pothuajse të njëjta dhe të barabarta veçanërisht gjatë sistemit të kaluar. Njëkohësisht ne synojmë rritjen në përgjithësi dhe në mënyrë të vazhdueshme të të gjitha pensioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›