E Diel, 1 Nëntor 2026

Do rishihet harta e tokave të lira

08/02/2005  Komiteti i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave do të nisë punën për të analizuar hartën e tokave të lira. Burimet kanë bërë të ditur se para se të nisë studimi, për të nxjerrë faturën financiare për kompensimin e ish-pronarëve, do të shqyrtohet toka në dispozicion të shtetit. Një vit më parë, grupi i punës është shprehur se në Shqipëri janë rreth 133 mijë ha tokë e lirë. Por, duke parë se gjatë një viti janë dhënë disa leje ndërtimi për apartamente apo për fshatra turistike, është ngritur dyshimi për uljen e hapësirës së tokave të lira. Pikërisht për të dhënë një studim më të plotë, anëtarët e Komitetit të Pronave do të nisin verifikimin e tokave të lira. Pasi të përfundojë ky studim do të shqyrtohen dhe të dhënat për ndërmarrjet me kapital shtetëror, që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Burimet në Komitetin e Pronave kanë bërë të ditur se ata janë në pritje të të dhënave të qeverisë, dhe më pas do të koordinojnë të dhënat me pretendimet e ish-pronarëve si dhe me hapësirat në dispozicion. Do të jenë komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave, që do të jenë vendimtarë në zgjidhjen e kërkesave të ish-pronarëve. Megjithatë, duket se çështja e pronave nuk do të gjejë zgjidhje. Kjo për vetë faktin se partitë opozitare janë shprehur se në rast të rotacionit të pushtetit do t'i rikthehen ligjit, duke kërkuar kthimin dhe kompensimin e plotë të tokave pa pranuar kufizime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›