Gjylbegu: Duam pavarësi financiare
08/02/2005 Drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, Artan Gjylbegu, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve është shprehur se ky institucion duhet të kalojë me vetëfinancim dhe nën monitorimin e Këshillit të Ministrave. Në këtë mënyrë, ai ka theksuar se kalimi nga Ministria e Drejtësisë në varësi të Qeverisë do të sjellë rritjen e rëndësisë së këtij institucioni. "Për ne, është e rëndësishme që institucioni ynë të jetë me vetëfinancim. Do të donim të ishim të varësinë e Këshillit të Ministrave", është shprehur Gjylbegu, në qëndrimin e tij të dhënë para deputetëve. Sipas tij, kalimi me vetëfinancim do të sjellë rritje të rrogave të nëpunësve të kësaj zyre. Për këtë, ai ka paraqitur si argument faktin se Zyra e Regjistrimit të Pasurive i sjell fitime të konsiderueshme Buxhetit të Shtetit. "Ne i sjellim Buxhetit të Shtetit 4 milionë dollarë të ardhura në vit", tha Gjylbegu. Ndërsa kalimi i një pjesë të këtij fondi për pagat e nëpunësve do të sillte rritje të nivelit të shërbimeve që i ofrohet publikut si dhe kalimin në një zyrë të regjistrimit mëse efikase.