Komiteti i Pronave sot vendos metodikën
08/02/2005 Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave do të diskutojë sot mbi metodikën përfundimtare të vendosjes së çmimit të tokës. Burimet kanë bërë të ditur se mes anëtarëve të Komitetit kanë mbetur vetëm pak pika për t'u diskutuar. Në mbledhje është parashikuar që të diskutohet mbi bazën prej ku do të merren të dhënat për vendosjen e çmimit. Në këtë pikë, ekspertët kanë propozuar që fitimi neto i prodhimit të një njësie toke të llogaritet nga studimet shkencore. Por kjo është kundërshtuar nga një pjesë e anëtarëve të Komitetit që janë shprehur se të dhënat mbi fitimin neto të një njësie toke të merren nga statistikat vjetore që boton Ministria e Bujqësisë. Gjithashtu një çështje që do të hajë diskutim do të jetë dhe fakti nëse prodhimet blegtorale do të merren si bazë për vendosjen e çmimeve apo jo. Vetëm sot do të tentohet në miratimin përfundimtar të metodikës, për të kaluar më pas në diskutimet në parlamentin e Shqipërisë. Burimet thanë se në Kryesinë e Kuvendit është kërkuar që metodika të kalojë për diskutime në mënyrë të përshpejtuar për të shmangur kështu vonesat e panevojshme. Madje, kjo do të jetë pika më e nxehtë e debatit politik të këtij muaji.