Do futemi "pa radhë"

Si mazhoranca dhe opozita u bindën tashmë se ska kohë të përfundojnë reformat dhe se NATO bën mirë të na pranojë kështu siç jemi
Vendi ynë mund të tolerohet duke marrë një “notë kaluese” dhe ftesën në NATO, ndonëse nuk ka kryer “detyrat e shtëpisë”. Reforma zgjedhore ka shumë gjasa të mos kryhet para datës 2 prill, kur fillon edhe samiti i Bukureshtit, e po të njëjtin fat parashikohet të ketë edhe reforma në sistemin e drejtësisë. Burime nga partia më e madhe e mazhorancës, por edhe e opozitës i thanë dje “Korrierit”, që propozimet e bëra nga PS-ja për ndryshimin e kushtetutës, tashmë s’kanë më asnjë shans e as kohë të mjaftueshme që të kalojnë në seancë përpara mbledhjes së samitit të Bukureshtit. Megjithatë bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin në NATO, Leonard Demi, mendon se mos-përfundimi i reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, nuk do të ndikojë fare në marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e strukturave euroatlantike. Madje në një prononcim për “Korrierin” ai duket optimist se Shqipëria do ta marrë ftesën për t’u bërë pjesë e NATO-s në Samitin e Bukureshtit që zhvillohet nga data 2 deri më 4 prill. “Parlamenti shqiptar është i vendosur për t’i përfunduar reformat. Nuk besoj se ato nuk do të kryhen, situata e tanishme thjesht e ka ngadalësuar procesin, por do të bëhen. Nëse nuk kryhen brenda datës 2 nuk besoj se do të ndikojë në marrjen e ftesës pasi dy reformat janë në proçes e sipër”- u shpreh Demi i pyetur për pasojat që do të kishte për procesin e integrimit në NATO moskryerja e reformave brenda afatit të kërkuar. Forcat politike shqiptare kanë filluar prej kohësh punën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi, ku ndërsa për këtë të fundit edhe janë hedhur hapa para, për atë zgjedhore ende nuk ka asgjë konkrete. “Reforma në Drejtësi po mbaron. Një pjesë e reformës në drejtësi është kryer dhe zbatimi është në proçes. Për reformën zgjedhore janë duke punuar, por për momentin është një situatë e jashtëzakonshme. Besoj se ftesën do ta marrim”- deklaron Leonard Demi, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Për moskryerjen e reformave socialistët fajësojnë mazhorancën, që sipas tyre, po i shmanget zbardhjes së tragjedisë së Gërdecit. Vetë socialistët janë të përqendruan për zbardhjen e së vërtetës dhe vënien përpara përgjegjësisë së shkaktarëve të Gërdecit, ndërsa padyshim mbështesin integrimin e vendit në NATO, çka sipas tyre nuk po e bën mazhoranca në pushtet, që me dorëheqjen e kryeministrit do të mund t’ju tregonte ndërkombëtarëve përgjegjshmërinë e munguar. Ndryshimet kushtetuese të dorëzuara tashmë në rrugë institucionale në kryesinë e kuvendit, siç thonë burimet nuk do të jenë pjesë e rendit të ditës së seancave, që do të zhvillohen deri më 2 prill. Në krahun tjetër një tjetër burim, pjesë e Grupit Parlamentar të PS-së, i tha “Korrierit”, që nuk do të kërkohet shtyrja e mëtejshme e afatit të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Socialistët pritet të kundërshtojnë vazhdimin e mëtejshëm të punës se komisionit pa kaluar më parë ndryshimet kushtetuese. I njëjti burim, sqaroi se komisioni nuk mund të vazhdojë punën pa u saktësuar më parë sistemi zgjedhor dhe të miratohet në këtë mënyrë me shumicë votash në kuvend ndryshimi i sistemit aktual. Ndërsa shanset e realizimit të dy reformave duken shumë të vogla, kjo mund të thuhet pasi ende mundësitë proçeduriale ekzistojnë, mbeten pak ditë nga vendimi përfundimtar, që nuk merret nga pala shqiptare, për të toleruar ose jo mos kryerjen e reformave. Për fat të mirë, pak ditë përpara Samitit, qëndrimi i shprehur nga një sërë aktorësh ndërkombëtarë ka qenë “pro” marrjes së ftesës. saqellari@korrieri.com