E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sms politikanësh për Delijorgjin

Kush i shkruante e solidarizohej me pronarin e Albademil, multimilionerin Mihal Delijorgji, gjatë kohës që ishte i shoqëruar në polici dhe nuk ishte bërë i ditur publikisht ky fakt

TIRANË – Politikanët e duan Mihal Delijorgjin. Dhe jo vetëm që e duan, por dhe “solidarizohen” me të në ditët e tij të zeza, kur iu bë shkrumb e hi investimi prej më shumë se 3 milion dollarë në Gërdec...Aty ku u shua një fshat, ku ende dyshohet se ka më shumë se 22 viktima, e rreth 300 të plagosur...

Kush i shkruante Mihal Delijorgjit në momentet e para të shoqërimit, para se të bëhej i ditur publikisht ndalimi i tij dhe i dy personave të tjerë, drejtorit të “MEICO”-s, Ylli Pinarit dhe drejtorit të fabrikës së çmontimit të municioneve Dritan Minxollit? Cilët janë miqtë e tij të ditëve të vështira? Ai pat rastin ta provonte dhe Prokuroria gjithashtu. Sipas burimeve të gazetës “Korrieri” mësohet se në aparatin celularë të biznesmenit të njohur, jo vetëm për tenderët shtetërorë të fituar, por mbi të gjitha për pasuritë kolosale të vëna në dhjetë vjeçarin e fundit, natën e parë të shoqërimit ka mbërritur një “lum” i vërtetë mesazhesh telefonike të tipit sms, si dhe thirrje telefonike që kanë habitur jo pak këdo që i ka parë. Emra të deputetëve dhe politikanëve, të djathë, të majtë, apo të partive “të vogla”, janë shfaqur dendur në ekranin e celularit, por tashmë të gjitha këto do të hyjnë në provat e “vogla” që janë të sekuestruara nga Prokuroria dhe që detyrimisht duhet të zbardhen dhe të bëhen pjesë e provave, ashtu siç ka qenë dhe telefoni i tij ku ka pasur numrat e tij të kontaktit të bizneseve të tij, apo lidhjeve të tjera që mund të shfaqen të dyshimta për organin e akuzës.    

Shoqërimi i Delijorgjit, i bërë përgjatë pasdites së të hënës, rreth 48 orë pas shpërthimit tragjik të Gërdecit, u mbajt i fshehtë për median dhe çdo kontakt me krerët e policisë lokale të Tiranës dhe të Prokurorisë atë natë ishte mohues në lidhje me shoqërimin e përfolur nën zë të Delijorgjit. Mos konfirmimi i informacionit të marrë në rrugë operative, se Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, ndodheshin në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, bëri që asnjëra prej media të mos njoftonte atë natë këtë shoqërim.  Kjo mungesë informacioni gjatë mbrëmjes së 17 marsit duket se bëri që jo pak deputetë e politikanë jashtë Kuvendit t’i dërgonin mesazhe Delijorgjit. Sipas burimeve konfidenciale të gazetës “Korrieri”, sms e marra gjatë asaj nate përgjithësisht ishin “solidarizuese” dhe ngushëlluese për gjithçka kishte ndodhur. Asnjëri nga mesazhet mësohet se nuk ka pasur tekste komprometuese.

Ndërkohë që burimet konfidenciale, bënë të ditur se telefoni i Delijorgjit është “çarë” mbrëmjen e 17 marsit nga sms-të dhe telefonatat e njerëzve me imunitet, apo të përfshirë në politikë, ky fakt është pohuar dhe nga burime nga grupi hetimor, të cilët nuk bënë me dije emrat e politikanëve, por pohuan se kishin dijeni se kishte marrë mesazhe telefonike Delijorgji, por që për momentin ata nuk ishin pjesë e hetimit.      

Ndërsa vetë Delijorgji, në një intervistë të dhënë dy ditë më parë për “Korrieri”-n i pyetur nëse ishte e vërtetë se kishte marrë sms, nga miqtë e tij politikanë, e mohoi një fakt të tillë dhe tha se: “Kam pasur shumë sms nga të njohur, miq dhe punonjës të mi, por jo nga politikanë”. Në ditët në vijim, do te zbardhet lista e sms si dhe tekstet e tyre. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›