E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmim masiv punëtorësh

Mbi 100 punetore shqiptare dhe turq qe punojne ne segmentin e autostrades Rreshen-Kalimash kane pesuar helmim ushqimor. Orvatje per te fshehur lajmin nga zyrtaret. Ngrihet spital fushor per te semuret.

RRËSHEN - Konsumuan ushqimin e drekës së pardjeshme, pa e ditur se do të kishin probleme serioze me shëndetin. Kështu ka ndodhur me më shumë se 100 punëtorë shqiptarë dhe turq, që punojnë në ndërtimin e autostradës së re, në segmentin Rrëshen-Kalimash. Ata janë helmuar ndërsa konsumonin ushqimin e drekës së servirur në mjediset e brendshme të kampingut të Repsit. Shenjat e helmimit masiv janë konstatuar vetëm pak minuta pas rikthimit të punëtorëve shqiptarë e të huaj në punë. Punonjësit pak kohë pas drekës së ngrënë në kamping kanë shfaqur shenjat e një helmimi të paparë. Gati të gjithë kanë pasur diarre, të vjella, marrje mendsh dhe humbje të plotë të imunitetit fizik të tyre. Kjo epidemi helmimi masive e punonjësve të kompanisë Bechtel-Enka, në mes tyre shqiptarë dhe turq kryesisht, ka bërë që të alarmohen drejtuesit e kompanisë duke i marrë në pjesën e dytë të orarit të punës gjithë punonjësit e helmuar për në mjediset e shërbimit spitalor në kamp. Janë bërë përpjekje maksimale për t’ju ardhur në ndihmë punonjësve të helmuar me ushqimin e drekës dhe është tentuar që fakti në fjalë të mbahet sekret. Numri i madh i punonjësve të helmuar nuk ka bërë të mundur rehabilitimin në këto mjedise sanitare hospitalore, ndaj janë përdorur dhe mjedise të tjera, çka e ka kthyer kampin thuajse në një spital të madh. Asnjë bashkëpunim në këtë rast nuk është bërë me spitalin e Rrëshenit, ndërsa dhe ilaçet për të sëmurët janë marrë në Tiranë për të bërë trajtimin e të helmuarve përgjatë tërë natës. Mjekë të firmës së huaj nuk kanë dashur të mësohet lajmi i pazakontë, ndaj nuk kanë bashkëpunuar as me spitalin më të afërt, atë të Rrëshenit dhe as me ato të Lezhës e Laçit. Vetëm pas një nate të tillë një numër i madh të helmatisurish janë nisur për në shtëpitë e tyre, duke ndërprerë punën normale. Lajmi është bërë publik nga njëri prej të helmuarve nga ushqimi i skaduar, por nuk ka dashur t’i përmendet emri, pasi gati të gjithë punonjësit janë porositur të mos kontaktojnë me mediat. Megjithë interesimin e mediave, drejtuesit e kompanisë private nuk kanë pranuar të pohojnë apo mohojnë ngjarjen në fjalë, duke fshehur helmimin e më shumë se 100 punëtorëve. Punëtorët dyshojnë se ata janë helmuar nga mishi, i cili thuhet se është siguruar në një fabrikë mishi në Tiranë. As inspektoriati veterinar i Rrëshenit nuk është njoftuar për të kryer analizat e produktit që shkaktoi këtë helmimin masiv të punëtorëve shqiptarë e turq. Fshehja e faktit nga firma e huaj është një arsye më shumë që institucionet shtetërore duhet të bëjnë kujdes për kontrollin e produkteve që konsumohen në kolektiva punëtorësh apo konviktorësh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›