E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanë humbur agjentët e FBI

Ndonëse priteshin që prej 4 ditësh, burime zyrtare të Prokurorisë, as pohojnë dhe as mohojnë ardhjen e agjentëve të Byrosë Federale të Inteligjencës

TIRANË - Katër ditë pas datës së përcaktuar zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme, ngelet ende mister mbërritja e gjashtë ekspertëve të FBI-së. Organi qëndror i akuzës thotë se nuk mund të japë asnjë informacion lidhur me këtë çështje, ndërsa vazhdon t’i mëshojë faktit se 26 marsi, i përcaktuar zyrtarisht si data e mbrritjes së ekspertëve amerikan ngelet ende në fuqi. Ky është reagimi i vetëm zyrtar, i cili lë shteg për të menduar se ndoshta FBI, nuk i ka përcaktuar ende njerëzit që do i bashkangjiten grupit të prokurorve që po heton tragjedinë e Gërdecit. Por ky është vetëm njëri prej dyshimeve që lind nga përgjigja zyrtare e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi një tjetër mundësi është që gjashtë ekspertët të kenë mbërritur në Shqipëri ditën e përcaktuar (e mërkurrë) dhe i janë bashkangjitur grupit hetimor. As njëri dhe as tjetri variant nuk konfirmohet nga burime zyrtare, qoftë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, qoftë nga grupi hetimor. I vetmi fakt që konfirmohet është se gjashtë ekspertët e kërkuar nga kryeprokurorja Ina Rama, nuk janë parë as në vendin e shpërthimit, i cili “vizitohet” çdo ditë nga grupi hetimor, as dhe në abientet e morgut të Tiranës, ku sipas prokurorisë do të ndihmonin për identifikimin e viktimave. Përballë një situate të tillë, çdo kush i bën pyetjen vetes: kryeprokurorja Ina Rama doli bllof me deklaratën zyrtare, apo ekspertët e FBI-së kanë një tjetër mision në hetimin e ngjarje së Gërdecit? Duke mos pasur një përgjigje zyrtare për këtë çështje, gazeta u është referuar burimeve të saj, të cilat ditën e djeshme i thanë se ekspertët e FBI-së kanë mbërritur në vendin tonë ditën e mërkurë. Krahas “misionit” për hartimin e një raport të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes dhe identifikimin e viktimave të shpërthimit, gjashtë ekspertët mësohet se do të kenë dhe një tjetër detyrë. Burimet e gazetës thanë se 6 ekspertët, (identiteti i të cilëve sipas prokurorisë do e mësojmë në ditët në vazhdim), krahas detyrave të zyrtarizuara do të hetojnë dhe rastet e ndonjë trafiku të mundshëm të armëve. Hetimi i FBI mësohet se konsiston në veprimtarinë e firmës amerikane “Southern Ammunition Company Inc”, për të cilën prokuroria Shqiptare nuk ka mundësi të mbledh asnjë informacion, përveç dokumentacionit që gjendet në vendin tonë, si dhe aferën e përfolur të trafikut të municioneve. Ekspertët e çështjeve ligjore thonë se FBI-ja apo dhe struktura të tjera të huaja nuk mund të kryejnë hetim në vendin tonë, pasi këto raste nuk janë të specifikuara në bazën ligjore. Pavarësisht bazës ligjore, kryeprokurorja Ina Rama, gjatë vizitës së saj tre javore në SHBA, veç të tjerash diskutoi dhe mundësinë që FBI-ja të hetojë në Shqipëri për krime që prekin të dyja vendet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›