E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi - NATO dhe FIFA

Arben Malaj

Arben Malaj në një opinion posaçërisht për "Korrieri"-n

Vështirë të gjendet lehtë ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë midis procesit të anëtarësimit në NATO dhe pezullimit nga FIFA.

Anëtarësimi në një aleancë jo thjesht dhe vetëm ushtarake shoqërohet me dy momente shumë të rëndësishme: së pari, plotësimi dhe respektimi i standarteve të larta në fushën e demokracisë, ekonomisë dhe sigurisë dhe së dyti, me dorëzimin e një pjese të sovranitetit të vendit tënd.

Edhe anëtarësimi në FIFA përfaqëson një proces integrimi të nisur që në vitin 1904, (sot ka rreth 208 anëtarë), që synon ta bëjë futbollin simbolin e shpresës dhe integrimit drejt një të ardhme më të mirë.

Jo çdo vend i FIFA-s mund të jetë vend anëtar i NATO-s apo BE-së, kjo është e qartë në dallimin e kritereve dhe standarteve që keto organizma aplikojnë.

Por që një vend që aspiron të anëtarësohet në NATO dhe BE, në prag të ftesës zyrtare të anëtarësimit, të pezullohet qoftë edhe përkohësisht nga aktivitetet ndërkombëtare të FIFA-s dhe UEFA-s, kjo është e papranueshme.

Megjithëse janë organizata ndërkombëtare sportive, ato kanë ne thelb një parim që aplikohet për çdo organizatë ndërkombëtare, pavarësisht nga fokusi i tyre dhe nga numri i anëtarëve. Është pikërisht parimi i dorëzimit të një pjese të autoritetit të vendimmarrjes dhe kontrollit nga niveli kombëtar në institucionet e organizmave ndërkombëtare ku aderon.

Organizatat ndërkombëtare mund të jenë të ndryshme, por filozofia e njëjtë të detyron t’i respektosh në mënyrë të barabartë. Në rast të kundërt, kuptohet lehtë që kemi të bëjmë me mentalitete integruese të mangëta, të deformuara ose aq më keq hakmarrëse.

Edhe në kushtetutën e vendit është qartësuar pozicioni prioritar që ka legjislacioni ndërkombëtar në raport me atë kombëtar. Në këtë aspekt detyrimet që vijnë nga parimet e statutit të FIFA-s për vendet anëtare janë edhe ligjërisht të detyrueshme.

Qartësisht nuk kemi të bëjmë me mosnjohje të detyrimeve që rrjedhin automatikisht nga anëtarësimi në FIFA dhe UEFA, rikonstatohet mentaliteti i vjetër politik që na mbisundon.

Mosrespektimi i parimeve dhe kritereve të organizatave ndërkombëtare në fushën e sportit, kulturës, artit, vërtet nuk mund të sjellë pasoja të rënda të drejtpërdrejta mbi një qeveri, por ato janë simptoma të qarta të llojit dhe përmasave të sëmundjeve që cënojnë demokracinë e çdo vendi.

Në vitin 1993 Shqipëria u penalizua për ndërhyrje të politikës në sport. Në vitin 2008 penalizohemi sërish për ndërhyrje të politikës në sport. Ne rrezikohemi nga e njëjta sëmundje politike, nga pushteti abuziv. Qeverisë i kërkohet një mentalitet i ri dhe përgjegjësisë reale për integrimin e vendit.

Misioni historik i sportit është shume inspirues: “shprese dhe integrim për një botë më të mirë”.

Shume mure të mbyllura midis vendeve për qëndrime kategorike politike kanë rezultuar të depërtueshme fillimisht nga sporti, arti shkenca dhe kultura.

Mosreagimi ndaj pezullimit të vendit nga aktivitetet e FIFA-s dhe UEFA-s është investimi i keq, jo vetëm për sportin. Në mentalitetin modern sporti, kultura, arti janë përdorur për të promovuar vendin, për ta lehtësuar bashkëpunimin dhe përshpejtuar integrimin e tij. Veçanërisht vendi ynë e ka te detyrueshme të rrisë aktivitetet ndërkombëtare sportive, kulturore, shkencore edhe për t’i integruar më mirë të gjitha potencialet tona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›