E Hënë, 2 Nëntor 2026

Do hapim dosjen e Islamit kur të vijmë në pushtet

01/06/2005  Berisha prezanton kandidatin në Mallakastër

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar dje, në Mallakastër dhe Tepelenë, kandidatët e opozitës, që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në zonën 73, në Mallakastër për PD-në, Berisha, i shoqëruar dhe nga aleatët, ka prezantuar kandidatin Artur Shehu. Kreu demokrat gjatë fjalës së tij sulmoi jo vetëm Kryeministrin Nano, por edhe kandidatin socialist, Kastriot Islami. “Unë ju premtoj se në rast se Fatos Klosi nuk ia hapi dosjen Islamit, ju premtoj se do t’ia hapim ne, sapo të vijmë në pushtet”, tha Berisha. Pas Mallakastrës, kryetari i PD-së ka udhëtuar drejt Tepelenës, ku ka prezantuar kandidatin e opozitës, në zonën 91, Eshref Shehu. “Tepelena e përzuri Fatos Nanon dhe e dërgoi në Sarandë. Vetë Nano ndërroi vendet me Ruçin dhe e dërgoi këtu për të humbur. Por, mos ketë merak se edhe në Sarandë do i japim dorën e fundit në rrugën e tij drejt pensionit”, tha Berisha. Gjatë fjalës së tij kreu demokrat tha se PD-ja vjen në këtë garë elektorale me një program të qartë për ndryshimin dhe nxjerrjen e vendit nga kriza. Në këtë platformë, sipas Berishës, gjendet rruga për daljen nga kriza dhe varfëria, ku e ka futur vendin qeverisja socialiste. Në takim përshëndetën dhe krerët e partive aleate me PD, të cilët i bënë thirrje elektoratit të votojnë në mazhoritar kandidatët e PD-së dhe në proporcional kandidatët e koalicionit opozitar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›