E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano akuza kompanive që mbështesin PD

01/06/2005  Gjatë prezantimit të Igli Toskës në Kombinat, Nano ka përfituar për të sulmuar kompanitë e huaja që mbështesin fushatën e PD-së. “Ju e mbani mend, para pak vitesh fushatën e tij e mbështeti një njeri me emrin Trafikant. E mbani mend, që ai u burgos nga drejtësia amerikane, jo për shkak të emrit, por të trafikut që bënte në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, me mashtrues të tipit Berisha. Edhe ky na paskësh qenë miku i Bushit, e mbani mend se ç’pretendonte Berisha. Vetëm një njeri si Berisha mund të pretendojë se të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e Presidentit Bush do mbështesin atë”. Gjatë fjalës ministri i Rendit, Toska, i ka kërkuar elektoratit të zonës së Kombinatit që më 3 korrik votat e tyre të shkojnë për kandidatin e Partisë Socialiste, dhe për aleatët e kësaj partie. Toska nuk ka ngurruar të sulmojë kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke u shprehur se “i thoni “JO” një aventure tjetër të rrezikshme për Shqipërinë, të Berishës. Të kërkosh të bëhesh kryeministër, pasi ke qenë presidenti që shkatërroi vendin, duhet të kesh një guxim të çmendur. Por ne, ju, Shqipëria, nuk ka më kohë të merret me aventurat e Berishës, nuk ka kohë të merret me ëndrrat e njeriut që kërkon të bëhet edhe njëherë nuse, se pastaj di ai si nusëron, nuk ka kohë të merret as me premtimet fantastikoshkencore që i kanë ardhur këtë radhë në mendje pronarit të PD-së dhe njerëzve të tij të punësuar rishtaz, apo të rimarrë në shërbim”. Toska u ka premtuar banorëve të zonës së Kombinatit se me punën e përbashkët katër viteve të ardhshmes zona nuk do të cilësohet më si periferi e shkëputur e Tiranës. Gjithashtu, ai ka premtuar ulje të papunësisë, arsimim të të rinjve dhe zhvillim të infrastrukturës. “Unë kërkoj votat e gjithë kombinatasve në emër të prosperitetit, në emër të së ardhmes së fëmijëve të tyre, në emër të një komuniteti homogjen me zërin e tij në parlamentin e ardhshëm, në emër të investimeve që po planifikojmë për Kombinatin, në emër të qetësisë, punës dhe zhvillimit”, tha Toska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›