Gjykimi parapolitik
01/06/2005 Tematikën politike që lidhet me mbarëvajtjen e pushtetit qendror ndodh ta zëvëndësojnë diskutime, premtime dhe paraqitje që kanë të bëjnë thjesht me funksionimin e pushtetit lokal.
Në sistemin politik demokratik nuk kandidojnë «burra të mirë» apo «burra të liq», por qytetarë, të cilët vlerësohen në thelb nga ngjyrat e tyre politike.
Sistemi politik shumëpartiak bëhet i pakuptimtë, nëse thuhet se s’ka më dallime midis të majtës dhe së djathtës.
Është fjala për të ndërtuar një Kuvend, që do të përcaktojë politikën e ardhshme shqiptare dhe jo për të gjetur të vërtetën e historisë, që kur jetohet nga bashkëkohësit është e ndryshme për grupe të ndryshme njerëzish.
Jemi përpara zgjedhjeve për në Kuvend, që do të zhvillohen më 3 korrik 2005. Partitë politike kanë nisur tashmë të konkurrojnë lirshëm me kandidatët e tyre apo edhe me lista proporcionale për t’u përfaqësuar sa më fuqishëm në institucionin më të lartë legjislativ të vendit.
Dikush mund të pyesë se çfarë nevojë ka që të kujtohet ky fakt? Të gjithë e dinë tashmë se jemi përpara zgjedhjeve për në Kuvend. Edhe ata që s’interesohen fare për politikën më në fund e kanë marrë vesh disi turbullazi këtë.
Unë kujtoj ndryshe. Gjykimi mbi politikën kanë nevojë ta mbajë përherë mirë parasysh se jemi përpara zgjedhjeve për në Kuvend në një sistem politik demokratik; pra se nuk ndodhemi as në një vend me sistem kanunor qeverisje, as në shoqëri parapolitike, as në kohë fushate për pushtetin lokal.
Politika nuk duhet ngatërruar nga ana tjetër as me moralin, as me psikologjinë terapeutike dhe as me teknikën.
Ka në fakt një rrezik të tillë degradimi.
Sollzhenicini, atje në Rusinë e largët, në një farë mënyre rrëshqiti pak e nga pak, gjatë viteve ’90, nga një disident me ide antikomuniste, në një romantik, ultranacionalist, partizan i shoqërive parakapitaliste, parademokratike, duke kërkuar të likujdojë sistemin e partive politike brenda një demokracie institucionale duke dashur ta zëvendësojë atë me «zemstvot» e dikurshme cariste, apo me sistemin e përfaqësimit individual brenda bashkësisë fshatare, në formën e pleqësive.
«Sëmundja» e Sollzhenicinit mund ta kapë këdo. Sidoqoftë do të bëhej një gabim edhe më i madh, nëse politikën e sotme, jo aq të mirë sa do ta dëshironim, do ta gjykonim me mendësi parapolitike.
E theksoj këtë aspekt sepse, ndërsa paraqitja e kandidatëve ka filluar, ndërsa fushata thuajse është hapur praktikisht në të gjitha përmasat e saj, në opinionin publik qarkullojnë edhe disa mënyra kuptimi të gjendjes së tanishme, që të krijojnë përshtypjen se disa ende nuk kuptojnë realisht se në çfarë sistemi politik jetojmë, si është i ndërtuar ky sistem politik, cila është logjika e brendshme e tij dhe për çfarë lloj zgjedhjesh bëhet fjalë. Ky lloj moskuptimi vihet re ndonjëherë edhe në takime të ndryshme elektorale dhe në bashkëbisedime të kandidatëve me zgjedhësit.
A mund të ndodhë që ndonjëherë gjykimi mbi politikën të jetë në një nivel më të ulët se vetë politika?
Përse të mos ndodhë?
Dihet se arsyetimi mbi një veprim vjen më pas dhe ndryshon më ngadalë sesa vetë veprimi.
Kandidat për deputet apo për pushtetin lokal?
Nuk po përgatitemi të votojmë për pushtetin lokal, por për kandidatët për deputetë që do të mbartin sovranitetin politik të kombit, do të shprehin vullnetin kombëtar në bërjen e ligjeve dhe në të gjitha kompetencat e tjera për ndërtimin dhe funksionimin e pushtetit qendror që ia u njeh Kushtetuta.
Mirëpo disa herë, në takime të ndryshme elektorale, duket se folësit shprehen thjesht për probleme lokale, apo për tema që i takojnë pushtetit lokal. Sigurisht, për qytetarin e thjeshtë më të prekshme janë problemet lokale, ato që e shoqërojnë gjatë gjithë ditës në mjedisin e tij të ngushtë. Qytetari kërkon të ketë pastërti atje ku jeton, të ketë një shkollë të denjë për këtë emër, ku të venë të mësojnë fëmijët e tij të vegjël, të ketë parqe dhe hapësira të gjelbëruara, të ketë rrugë dhe kanalizme të rregullta, të ketë një politikë urbane transparente, afatgjatë dhe të arsyeshme, të ketë banesa me çmime të arritshme, të ketë ekuilibër të pranueshëm midis qarkullimit automobilistik dhe atij këmbësor nëpër qendrat e banuara, të ketë sistem sinjalizimi të rregullt, të funksionojë sistemi i furnizimit me ujë, me energji elektrike, të ketë qendra argëtuese dhe sportive etj.
Mirëpo, sadoqë këto probleme janë shumë të rëndësishme, ato nuk janë në kompetencën e deputetit. Deputeti nuk ka në këtë plan asnjë detyrim të drejtpërdrejtë që t’ia ngarkojë ligja apo kushtetuta. Tjetër punë që ai është i detyruar të jetojë pranë problemeve që kanë zgjedhësit e tij. Tjetër punë se ai duhet të bashkëpunojë ngushtë me organet e pushtetit lokal të zonës, ku është zgjedhur dhe të gjithë territorit të vendit. Pavarësisht këtyre detyrimeve, kandidati për deputet nuk ka se si jep premtime që në fakt i takojnë pushtetit lokal për t’i realizuar.
Cili do të ishte kuptimi i një premtimi dhënë zonës së tij elektorale për t’u realizuar gjatë mandatit të ardhshëm elektoral nga një kandidat për deputet, nëse për këtë strategji dhe përparësi të premtuar nuk do të ishin në një mendje ata që bartin dhe kontrollojnë pushtetin lokal? Sigurisht që në këtë kuptim, premtimi në fjalë do të ishte fare i sipërfaqshëm dhe demagogjik, sepse kandidati për deputet nuk do të kishte kompetencat për ta vënë në jetë atë.
Deputeti i ardhshëm mund të bëjë shumë për t’ia lehtësuar veprimtarinë dhe realizimin e detyrave pushtetit lokal, por jo duke thënë se «do të bëj këtë e atë», duke marrë premtime që i takojnë një instance tjetër pushteti. Në këtë rast do të dukej se deputeti do të ishte thjesht përfaqësues i interesave të elektoratit të zonës së tij, do të dilte sikur detyra e tij parësore do të ishte të endej zyrave të administratës për të tërhequr fonde për pushtetin lokal të zonës së tij elektorale. Kandidati për deputet në një farë mënyre e ul statusin e tij politik, duke marrë pamjen e një këshilltari minibashkie ose komuneje fshati, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të jetë më i kuptueshëm, më interesant dhe më i prekshëm në premtimet e tij nga ana e elektoratit. Ndofta edhe ka të drejtë, por, ndërkohë, kështu ndodh një proces manipulimi demagogjik për arsyen, sepse ato që premton kandidati për deputet nuk kanë të bëjnë me ushtrimin e kompetencave të tij nëse zgjidhet në organin e lartë ligjëvënës.
Në fakt, në këtë sjellje elektorale konstatohet edhe hija e një qëndrimi përçmues ndaj zgjedhësve, sepse e gjithë kjo që ndodh në disa takime elektorale nxjerr në pah një farë mendësie, sipas së cilës populli s’interesohet për politikën e përgjithshme të shtetit, ai do vetëm të mira materiale. Qytetari shihet thjesht si konsumator i disa materialeve bazë për jetën, si qenie e mbyllur në kërkesat e veta parësore, bazike, më elementare, ekonomike, materiale dhe jo si anëtar i ndërgjegjshëm i një bashkësie politike.
Hallexhiu, nënkuptohet sikur merr vesh vetëm gjuhën e vulgut dhe jo atë të politikës.
Ai shihet si një «gojë e hapur» për t’u mbushur dhe jo si një «dorë e shtrirë» drejt pushtetit të tij.
Duke vepruar kështu në mënyrë të tepruar, kandidati për deputet rrezikon të paraqitet si një i zgjedhur lokal dhe jo si përfaqësues i vullnetit politik mbarëpopullor.
Po në këtë mënyrë, do të dukej se në vend të një Kuvendi me deputetë që përfaqësojnë në mënyrë unike vullnetin e përgjithshëm popullor, do të kishim një instancë me anëtarë që formojnë ekipe sipas zonave gjeografike të vendit. Në vend të ndarjes së deputetëve në komisione sipas tematikave të rëndësishme të pushtetit qendror legjislativ, do të kishim virtualisht krijimin e ekipeve gjeografike: «deputetët e Korçës», «deputetët Durrësit», «deputetët e Përmetit», «deputetët e Këlcyrës» e kështu me radhë, ku secili grup do të përpiqej të anonte politikat e qeverisë sipas influencave të tija elektorale dhe territoriale.
Në fakt, kushtetuta dhe funksionimi normal i demokracisë nuk e ndajnë në territore gjeografike vullnetin e përgjithshëm popullor të shprehur në Kuvend.
Në këtë ngatërrim, që nuk ndodh rrallë, ka edhe një prurje, që e sjell kujtesa politike rutinore e kohëve të periudhës komuniste, atëherë kur deputeti ishte i detyruar të jepte «llogari» përpara atij që quhej elektorati i zonës së tij, kur ata që quheshin zgjedhësit e tij kishin «kompetencë» t’ia hiqnin imunitetin e vet parlamentar, ose edhe ta shkarkonin fare atë.
Kujtesa kolektive s’ka hequr dorë kollaj edhe nga përfaqësimi jopolitik i pleqve të fisit, i të parëve të krahinës, i të fismëve të fshatit, që zotëronin një lloj kapital «përfaqësimi», por vetëm brenda kufijve të ngushtë të grupit që komandonin dhe që merreshin thjesht me administrimin e nevojave të përditëshme të një segmenti të veçuar të shoqërisë.
Sigurisht, që kandidati për deputet ka mundësi të mëdha për të premtuar që arsimi kombëtar edhe nën ndikimin e tij do të zhvillohet si duhet, por s’ka shumë kuptim që rolin dhe kompetencat e tija të larta t’i reduktojë, duke iu premtuar zgjedhësve se do të «rregullojë dhe riparojë shkollën 9–vjeçare të lagjes ku kandidon». Kandidati për deputet ka shumë arsye të premtojë se do të punojë që qytetet shqiptare të pajisen me plane urbanistike të rregullta, por ai vihet në rolin e një tjetri, kur premton se «do të hapë ose mbyllë këtë apo atë shesh ndërtimi». Deputeti ka shumë se çfarë të premtojë në mënyrë që shteti të ketë një politikë të fuqishme për modernizimin e infrastrukturës rrugore të zonave urbane dhe rurale, por është e kotë të na thotë se do të ribëjë këtë apo atë xhadè fshati apo lagjeje qyteti, si do ta urbanizojë qytetin ku kandidon, si do ta zhvillojë pikërisht atje turizmin elitar etj.
Këto nuk janë fare politika që varen nga kompetencat e tij si deputet i mundshëm. As nuk duhet t’ia kërkojmë t’i realizojë, sepse i biem kot në hak, as duhet të na i premtojë sikur varen prej tij, sepse pastaj fjala e tij do t’i ngjante një demagogjie dhe ai do të vihej në rolin e një politikani që kërkon të uzurpojë kompetenca të të tjerëve.
Në këtë këndvështrim duhet gjykuar ndonjë kandidat për deputet që është duke negociuar me banorët e zonës së tij elektorale dhënien e votës së tyre në shkëmbim të premtimit se ai do të rregullojë pompën e ujit, pusetën e prishur të rrugës, ca shtylla të rrjetit elektrik, do të bëjë të mundur shtimin e ndonjë ore në furnizimin me ujë të pijshëm, a të tjera premtime si këto që nuk janë fare në kompetencë e tij.
Politika dhe historia
Vihet re edhe se herë pas here të folurit ose të shkruarit e kandidatëve për deputet i ngjan disi asaj të historianëve. Sado që qytetarit i duhet të ketë kujtesë të gjatë politike, sadoqë i duhet të mbajë parasysh të shkuarën e kandidatëve dhe të partive politike që kërkojnë votën e tij, sadoqë i duhet gjithashtu të ketë një analizë dhe të bëjë krahasime me të shkuarën, ai në fakt voton për të ardhmen e tij politike dhe nuk është aq i predispozuar në kohë fushatash elektorale të merret me historinë e vendit. Qytetari gjykon vitet e shkuara, analizon veprimtarinë e pushtetit të partisë që e ka atë, reflekton për forcën politike, që do të shpresonte se do ta përfaqësonte më mirë, por nuk ka shumë prirje të vihet në rolin e shkollarit që i mësojnë historinë në shkollë.
Gjykimin mbi historinë që ka jetuar e mbajtur mbi supe ka dëshirë ta ndërtojë vetë, jo t’ia japin të gatshëm kandidatët për deputetë.
Po të ndodhte kjo do të ngatërrohej politika me pedagogjinë, do të përziheshin politika me historinë.
Marrja në kohë fushate me histori jo vetëm që është një mënyrë ikjeje e tërthortë nga politika drejt veprimtarive parapolitike, jo vetëm që është kundërproduktive në fushatat e komunikimit publik, por në fakt i bën dëm në elektorat vetë atij që vepron kështu, duke favorizuar paradoksalisht kundërshtarin e tij.
Marrja me histori, duke bërë politikë është punë «pa bereqet» sepse, sikurse na mësojnë shkencat sociale të periudhës postmoderne, për «historinë e ngrohtë», domethënë për atë histori që e kanë përjetuar si dëshmitarë dhe si aktorë vetë bashkëkohësit, është e kotë të rrekesh që të gjithë zgjedhësve, pra qytetarëve, t’iu ngulitësh të njëjtin përfytyrim dhe të njëjtin model mbi të kaluarën.
Historia e jetuar nga vetë njerëzit është ndryshe nga historia «e ftohtë», domethënë nga ajo histori që mësohet nga brezat të tjerë pasardhës, të cilët s’e kanë jetuar vetë atë. Këtu po, aty ka mundësi për të krijuar një përfytyrim të përbashkët për të gjithë shoqërinë, ku të gjithë të kenë të njëjtin kuptim, të manipuluar ideologjikisht, për të kaluarën. Ndërsa historia e «ngrohtë», është plurale, është shumëhistori, në kuptimin që grupe të ndryshme politike, shtresa të gjera të elektoratit, grupe të ndryshme të shoqërisë civile, apo grupe presioni ekonomike dhe shoqëror, kanë versionin, interpretimin dhe kujtesën e tyre mbi historinë që kanë jetuar.
Ajo është pjesë e jetës së tyre dhe nuk mund të zhbëhet në fushata elektorale.
Historia e afërt ka paraqitje të shumëfishtë dhe mbart ngjyra politike të kundërta në kujtesën e pjesëve të ndryshme – konfliktuale të zgjedhësve.
Nuk mund të kërkosh që dikush të jetë socialist, por ta kujtojë historinë si demokrat, dhe anasjelltas, që dikush të jetë demokrat, por ta përjetojë historinë si socialist. Gjithësecili ruan versionin e tij mbi ngjarjet dhe sa më shumë të ngacmohet në kujtesën e vetë historike, aq më shumë ka prirje të ngurtësohet në versionin që tashmë ka në kokë për ngjarjet.
Më kollaj një votues ndërron sjelljen e tij elektorale, duke u nisur nga qëllime pragmatike sesa pranon të ndryshojë kujtesën që ruan prej kohësh në kokë, lidhur me përjetimin prej tij të ngjarjeve të historisë.
Në një farë kuptimi është bërë disi e besueshme ajo që thuhet: Mos e fajëso shumë kundërshtarin tënd politik, sepse e bën interesant dhe rrezikon ta bësh më të pranueshëm për elektoratin e tij dhe në përgjithësi!
Sidomos në kohën kur fushatat elektorale bëhen duke kaluar dhe u shfaqur nëpër ekranin e vogël të televizionit aktori politik nuk ka përse të pretendojë as të kërkojë një imazh të përkryer politik për të qenë tërheqës. Ekrani i vogël televiziv kërkon ca çrregullësi në paraqitjen e aktorëve të politikës. Psikologjikisht, njeriu i thjeshtë, zgjedhësi i bazës, disi i përhumbur në jetën e përditëshme të halleve të tij, ka ndonjëherë dëshirën të mbrojë atë që ngjan më shumë si vetja e tij, dikë që ka pësuar ndonjë disfatë në të kaluarën, dikë që ndodhet nën zjarrin e stigmatizimit dhe të kritikave.
Pretendimet e «duarve të pastra» në politikë, në kuptimin për të qenë krejt pa «faje», nuk janë gjithmonë të përtypshme nga ana zgjedhësve. Shpesh herë këta të fundit pranojnë dikë që mbart një histori, qoftë edhe me gabime, sepse kështu ai bëhet më i kontrollueshëm, më i barabartë me zgjedhësin e thjeshtë, sesa dikë që paraqitet se nuk mban asnjë përgjegjësi për anët negative të së kaluarës, por bart vetëm mesazhin e suksesit.
E djathta në Spanjë, një pjesë e së djathtës italiane, portugeze etj., nuk kanë qenë pa lidhje me politika të dikurshme të ndëshkuara nga historia, por kjo s’i pengoi aspak të rivijnë në skenën politike të vendit të tyre përsëri. Në Poloni, Çeki, Sllovaki dhe gjetiu, ish-komunistët erdhën përsëri në pushtet, megjithëse nuk kishin veçse disa vite që ishin ndëshkuar si forca me të kaluar totalitare. Kështu ndodhi edhe në disa lande lindore të Gjermanisë Federale, ku ish-komunistët pas disa vitesh nga përmbysja erdhën përsëri në fuqi.
Edhe në terrenin politik të këtyre viteve të fundit vërtetohet se nuk përjashtohet aspak që «humbësi» i dikurshëm të vijë ose rivijë në pushtet pikërisht duke përfituar edhe nga ky imazh i tij, që shpesh ngjit mirë në elektorat. Pak a shumë mund të thuhet se udhëheqësi i demokratëve erdhi në pushtet duke përdorur sloganin elektoral se «Të gjithë jemi bashkëfajtorë». Ai ishte më i suksesshëm në elektorat atëherë kur pranonte bashkëfajësinë sesa atëherë, pas 1993, kur ligjërimi i tij politik mbështetej tërësisht te paraqitja e sukseseve. Po kështu edhe lideri i Partisë Socialiste ka qenë i suksesshëm kur «vinte nga poshtë», duke përhapur gjithandej fjalën e «katarsisit» dhe kur sulmohej e fajësohej nga miqtë e tij politikë.
E tillë është koha politike.
«Fajësomë, të lutem, që të fitoj!»
Ajo shkon përpara, duke mos munguar të ketë mundësinë të kthehet edhe «pas». Po të mos ishte kështu, atëherë si do të mund të kuptohej rikthimi i ish-komunistëve, tashmë socialistë, në pushtet, në vitin 1997, vetëm pak vjet pasi ata ishin përmbysur nga pushteti si totalitarë. Të gjitha kritikat dhe fajet kishin rënë mbi ata për disa vite: «totalitarë», «antiperëndimorë», «bllokues të reformave», «progrekë», «antiamerikanë», «antidemokratikë», «shpërdorues të mirash materiale publike» etj., ndërkohë që elektorati i tyre rritej dhe ai i akuzuesve pakësohej.
«Burrë i mirë» apo njeri politik?
Sociologjikisht ka edhe një prirje parapolitike për të parë te kandidatët për deputetë jo aq persona politikë, por tipare morale dhe njerëzore të tyre si «burra të mirë» apo «burra të liq».
Në vend të vepruesit politik kërkohet të zbulohet qenia e tij njerëzore dhe morale.
Kjo nuk do të thotë që zgjedhësit të jenë të privuar për të parë te kandidatët për deputetë, veç ngjyrave politike të tyre, edhe aftësitë e tyre personale, formimin e tyre shkencor dhe teknik, integritetin e tyre moral, karakteristikat e tyre të personalitetit dhe të tjera aspekte parapolitike apo jashtëpolitike si këto.
Aspak.
Por puna është se për zgjedhjet e ardhshme politike thuhet se zgjedhësit nuk duhet të shohin ngjyrat politike të kandidatëve, por vetëm faktin që këta kandidatë të jenë «burra të mirë», pra të kenë një personalitet moral apo profesional shembullor!
Sado tërheqës të duket, ky kriter zgjedhjeje jo vetëm është iluzor, por edhe i pazbatueshëm, pra i kotë. Nuk jetojmë në një bashkësi patriarkale, ku zgjedhim ata që na drejtojnë, duke përcaktuar si të tillë pleqtë e fisit, apo burrat më të mirë të lagjes, apo të bashkësisë klanike. Jetojmë, së pari, në një botë ku kanë mbaruar marrëdhëniet «sy më sy», pra ku zgjedhësit nuk i njohin më personalisht kandidatët për deputetë. Janë larg tyre, shoqëria është specializuar, zgjeruar. Zgjedhësit dhe të zgjedhurit nuk kanë më aq fort kontakte të drejtpërdrejta me njëri-tjetrin, apo marrëdhënie të thella pune për të gjykuar për kompetencat e tyre profesionale, apo për virtytet e tyre morale. Së dyti, jetojmë në një sistem politik organizmi shoqëror dhe jo në një bashkësi morale të tipit klanik. Një «burrë i mirë» që nuk është me partinë politike që përfaqëson interesat e një pjese të elektoratit, mbetet ndoshta «burrë i mirë» për miqtë e vet, po nuk mund të zgjidhet deputet prej kësaj pjese të zgjedhësve.
Në politikë një «burrë» është i zoti, apo i pazoti, i mirë apo i keq, në radhë të parë brenda një kuadri politik të caktuar dhe jo në mënyrë universale, sikurse do ta konsideronin atë doktrina morale klasike të kapërcyera krejtësisht nga koha. Kanë kaluar mëse dymijë vjet kur në etikë u përcaktua «E Mira» dhe «E Keqja» si vlera universale morale. Por kjo kohë është kapërcyer bashkë me mendësitë e atëhershme. Këto mendësi shkientiste, homogjene, nënkuptojnë një vëzhgues që e quan veten sikur ka të trashëguar ndonjë pozicion të paanshëm, qendror, disi «presidencial» dhe që, si arbitër i padiskutueshëm, ruan privilegjin të gjykojë të tjerët me standarde vlerore dhe etike universale.
Të këqinj janë ata që quhen të këqinj për të.
Të mirë janë ata që quhen të mirë për të.
Por, teoritë postmoderne i kanë lënë pas këto përfytyrime etiko-politike klanike dhe patriarkale. «E Mira» dhe «E Keqja» nuk janë më kategori etike universale, sepse njerëzit nuk presin që gjykimet e tyre morale të ushqehen nga konceptime të përbashkëta, të ardhura nga lart. Njerëzit gjykojnë etikisht njëri-tjetrin. Pra, ajo që quhet «E Mirë» për mua, ka mundësi të mos jetë e tillë për tjetrin, dhe anasjelltas «E Mira» për tjetrin nuk është aspak domosdoshmërisht një «E Mirë» edhe për mua.
Në këto kushte si do t’i zgjedhim pa iu përmbajtur kritereve politike «burrat» tanë më të mirë?
Kush janë ata «burra të mirë» që mund të jenë të tillë «të mirë» për të gjithë?
Kandidatin socialist, zgjedhësit demokratë do ta konsideronin si të paaftë dhe aspak «burrë të mirë» ; kurse kandidatin demokrat, zgjedhësit socialistë do ta quanin aspak me vlera morale të përkryera, apo të aftë për të qeverisur.
Ajo që meriton të shahet prej teje, ndofta meriton të lavdërohet prej meje!
«E Mira» jote, ndofta është «E Keqja» ime.
Ku i njeh elektorati i gjerë se si janë kandidatët për deputetë: «burra të mirë», apo «burra të liq», të aftë apo të paaftë?
Përgjithësisht nuk i njeh aspak, sepse, në radhë të parë, zgjedhësi i bazës nuk ka asnjë lloj njohjeje me ta. Ky kriter mund të jetë ndofta i vlefshëm relativisht për atë grup të vogël njerëzish që jetojnë nëpërmjet politikës dhe mediave, që ndajnë me njëri- tjetrin miqësira dhe njohje të vjetra dhe të reja, që kanë lidhje të dikurshme mësues – nxënës, shef – vartës, informator – i informuar, shkrues – diktues, që i pijnë kafetë së toku, që rrinë në zyrat e të njëjtave redaksive, që shihen pra periodikisht «sy më sy», apo që kanë njohje të vjetra të llojeve të tjera, por s’ka asnjë kuptim për elektoratin e gjerë.
Imazhi i të qenurit i aftë, punëtor, i suksesshëm për dikë në sytë e elektoratit të gjerë nuk është tjetër veçse rezultat i një propagande dhe fushatash mediatike.
Ku t’i njohim disa deputetë se sa të zotët kanë qenë, ku ta dimë se sa të zotë kanë qenë administratorët tanë, kur këta deputetë s’kanë pasur asnjë protagonizëm politik në punën e tyre. A ka ndonjë ligj themelor apo ndonjë strategji që mban emrin e ndonjë deputeti? A ka ndonjë ministër që të ketë zhvilluar një perspektivë të vetën të suksesshme që t’i njihet autorësia? Me vështirësi mund të gjendet ndonjë. Të gjithë janë të grumbulluar rreth partive dhe strukturave që dalin prej veprimtarisë partiake apo qeverisëse.
Ku t’i njohim pra sa të zotët janë? Si ta dimë nëse janë «burra të mirë» apo «të ligj» jashtë, para dhe përtej politikës që ata përfaqësojnë dhe mbrojnë?
Politika s’është krushqi – do të thoshte sikurse e tha dikur pak a shumë në një televizion, Arben Imami. Ne i gjykojmë politikisht kandidatët tanë për deputetë, pra në radhë të parë për identitetin e tyre politik dhe brenda kësaj gjykojmë për sjelljen e tyre. Jashtë kriterit politik, vështirë se do të dimë të themi ndonjë fjalë për ta.
Ndryshimi shoqëror dhe alternativat politike
Ndonëse kemi një sistem politik demokratik, që nënkupton ekzistencën e alternativave të ndryshme politike, gjendja paraqitet ndonjëherë sikur s’ka vend veçse për reforma teknike, të vlefshme për të gjithë dhe jo për alternativa politike të kundërta, po aq të vlefshme sa njëra tjetra për pjesë të ndryshme të elektoratit.
Thuhet se e majta dhe e djathta u ndanë nga njëra-tjetra veç për shkak të vendit që zunë deputetët në Asamblenë Kombëtare pas Revolucionit. Përmbajtja politike dhe ajo simboliko-gjuhësore e termit përzihen kështu në një të vetme.
Shtohet edhe se sot në kohën e teknologjisë s’ka vend për debate të majtë – të djathtë, sepse dallimi është bërë fare i vogël, thuajse i paqenë!
Bota demokratike ka institucione politike, por s’paska nevojë për politikë, sepse e vetmja gjë që duhet të bëjë është të zbatojmë reforma uniforme, të sjella nga jashtë, të shpikura nga brenda, por gjithsesi të padiskutueshme dhe unikale.
Kush është kritik ndaj tyre, nënkuptohet ngrihet kundër rrjedhës normale të gjërave.
Në këtë këndvështrim përqasja politike e zhvillimit dhe ndryshimit shoqëror më shumë merret si një përafrim thjesht teknicist.
Për çfarë duhen atëherë institucionet politike të vendit?
Për çfarë duhet pluralizmin politik dhe ai i ideve?
Nuk ka vend për alternativa politike, na thuhet, sepse e vetmja alternativë qendroka midis reformave të padiskutueshme që zbaton «pala jonë» (ciladoqoftë ngjyra politike e saj) dhe «budallallëkut», «idiotësive» që artikulon kundërshtari (i çdo ngjyre politike) apo shoqëria civile.
Nuk do shumë mund për të kuptuar se, sipas këtij arsyetimi, nuk ka vend veçse për ndonjë lloj tjetër politike veç asaj që ndjek grupi i njerëzve në pushtet (cilidoqoftë ai). Të tjerat do të ishin «fantazi», «çmenduri», «banalitet».
Lufta politike do të përmblidhej në një luftë midis «të mënçurve» dhe «anormalëve».
Politika do të shndërrohej kështu në psikologji klinike.
Në fakt, në demokraci, rivaliteti politik midis së djathtës dhe së majtës nuk rresht kurrë, sadoqë merr forma të reja në varësi të kohës. Le ta shikojmë më afër historinë e kohës sonë dhe jo nga larg, sepse do të dukej «dyst» si një arë e pambjellë.
Nëse reformat ekonomike dhe institucionale nuk qenkan as të majta dhe as të djathta, atëherë përse socialistët e Shrëderit po pësojnë një rrjedhje të vazhdueshme elektorale në gjirin e zgjedhësve të majtë, të njerëzve me më pak të ardhura, me botëkuptim të majtë, me histori familjare të majtë etj., ndërkohë që nisën të zbatojnë reforma liberalizuese, ndofta të domosdoshme nën këndvështrimin e tyre si forcë në pushtet?
Nëse reformat institucionale dhe ekonomike në Perëndim kanë bërë që dallimi midis së majtës dhe së djathtës të shuhet, atëherë si shpjegohet që gjatë referendumit të fundit në Francë, shtresat e ulëta përgjithësisht votuan kundër projekt-kushtetutës evropiane, ndërsa ato tradicionalisht të djathta votuan në favor të saj?