PBDNJ shpall 99 kandidatët
01/06/2005 Partia Bashkimi për të Drejtave të Njeriut, përballë Kryeministrit Fatos Nano për garën e 3 korrikut, do të vendosë kandidatin e saj, Mihal Naçi, në zonën elektorale numër 99. Gjatë prezantimit të të gjitha kandidaturave për deputetë të PBDNJ-së, nga kreu i kësaj partie, Vangjel Dule, është kërkuar mbështeje për këtë kandidaturë. Sipas tij, ai është emri i zgjedhur për Sarandën. “Do të mbështesim kandidaturën tonë në Sarandë dhe kjo është asyeja që edhe e kandidojmë. Naçi është një nga drejtuesit e vjetër të PBDNJ-së, pedagog në qytetin e Gjirokastrës, është i lindur dhe i rritur në Sarandë. Rrjedhimisht, është momenti që sarandiotët të preferojnë përfaqësuesit e tyrë të drejtpërdrejtë. Saranda ka potenciale intelektuale dhe shkencore që të përfaqësohet në të gjitha nivelet dhe natyrisht që nuk ka nevojë për lidership, qoftë nga ana e Partisë Socialiste, qoftë nga ana e Partisë Demokratike, për t'i përfaqësuar në Kuvend”, tha Dule. Gjithashtu, ai ka prezantuar emrat e 99-të kandidatëve, që do të përfaqësojnë PBDNJ-në në garën elektorale të 3 korrikut, duke përjashtuar emrin e tij nga kjo listë. Dule është i pari në listën proporcionale të partisë, gjithashtu ka lënë bosh zonën 49, pasi në minutat e fundit është tërhequr kandidati i përzgjedhur për këtë zonë.