Plumb në zemër nënës, në sy të fëmijëve
• Një grua nga Shqipëria është vrarë me armë zjarri nga një polic amerikan, në prani të tre fëmijëve të saj të mitur dhe bashkëshortit.SHBA/NEVADANgjarja ka ndodhur më 12 shkurt 2008 në Nevada, shtet federal në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atë ditë Deshira Selimaj, rreth 40 vjeçe mbeti e vdekur në rrugë, pasi u qëllua një herë të vetme me armë zjarri. Në fillim vrasja ka qenë një ngjarje të cilës nuk iu kushtua shumë rëndësi dhe për këtë shkak nuk u bë publike në media. Mirëpo implikimi i punonjësve të policisë në vrasje dhe mënyra e diskutueshme si ka ndodhur krimi është bërë tani shkak që mediat amerikane t’i kushtojnë vëmendje vrasjes së 40-vjeçares Deshira Selimaj. Departamenti i policisë që mbulon zonën ku ndodhi ngjarja në fakt pretendon se gruaja shqiptare u afrua me një thikë, duke vënë në rrezik jetën e dy policëve dhe të familjes së saj. Pavarësisht këtij versioni të policisë, një hetim i brendshëm është hapur për këtë çështje dhe rezultatet e tij pritet të bëhen të ditura në ditët e para të muajit të ardhshëm. Në linjë të kundërt me variantin e paraqitur nga policia për vrasjen e gruas shqiptare, janë deklarimet e bashkëshortit të viktimës dhe dëshmitarëve okularë të ngjarjes. Ata thonë se, Deshira Selimaj është qëlluar me armë zjarri pa shkak nga punonjësit e policisë, të cilët mund të shmangnin ekzekutimin e gruas në sy të fëmijëve dhe bashkëshortit të saj.Ndalesë në trafikEkzekutimi i 40-vjeçares shqiptare me një plumb në zemër ndodhi, pasi policia i kërkoi bashkëshortit të saj të ndalonte makinën me të cilën po lëvizte në një rrugë të Nevadës. Zyber Selimaj, bashkëshorti i gruas së vrarë nuk kishte ndaluar plotësisht lëvizjen e makinës para një tabele STOP. Ai po lëvizte me furgonin e tij të përshtatur si dyqan portativ akulloresh kur policët e ndaluan dhe i komunikuan vendosjen e një gjobe prej 650 dollarë. Zyber Selimaj përpiqet të sqarojë policët, por kishte vështirësi me anglishten. Ai nuk kishte mundësi të paguante gjobën e vendosur, ndaj siç pretendon ai dhe dëshmitarët, bashkëshorti ka telefonuar gruan duke i thënë të shkonte në vendin e ngjarjes dhe ta ndihmonte në komunikim me policët, pasi njihte më mirë gjuhën angleze. Deshira Selimaj niset në drejtim të vendit ku policia kishte ndaluar të shoqin. Viktima e vrasjes nga policia kishte marrë me vete edhe dy djemtë e saj. Vrasja e shqiptaresDeshira Selimaj mbërrin në vendin e ngjarjes, ndalon makinën dhe kur, sipas dëshmitarëve ajo ka parë të shoqin që po qante i prangosur në trotuar. E ndodhur në këtë situatë, sipas variantit të policisë, gruaja kthehet në makinën e saj, merr një thikë dhe tenton të vetëvritet bashkë me njërin nga djemtë. Policia ka ndërhyrë në këtë moment, duke arritur të marrë dy fëmijët dhe u ka kërkuar atyre të largohen nga nëna duke qëndruar në distancë atje ku ndodhej babai. Pas kësaj, dy policët godasin gruan shqiptare me pajisje elektroshok, të cilat nuk japin efekt. Pason një krismë arme dhe Deshira Selimaj rrëzohet përtokë pa jetë pasi kishte pësuar një plumb në zemër. Ajo është qëlluar nga njëri prej dy policëve. Autori i krimit mësohet se është një polic 23-vjeçar, ndaj të cilit po zhvillohen hetime. Fëmijët dhe i shoqi 65-vjeçar i viktimës thanë se, gruaja e vrarë nga policia nuk ka pasur thikë në duar në asnjë moment. Sipas këtij varianti që mbështetet edhe nga dëshmitarët okularë, në momentet e fundit të jetës së saj Dëshira Selimaj kishte rënë në gjunjë e rrethuar nga policët dhe po qante, duke lëvizur duart në ajër. Varianti i dhënë nga dëshmitarët është një dilemë e fortë mbi ngjarjen. Nëse policia përdori dy elektroshokë mbi gruan për të parandaluar rrezikun e saj dëshmitarët thanë se, një gjë e tillë nuk bëri efekt. Juristët thonë se, gjithsesi policia duhet të qëllojë fillimisht në këmbë personat e rrezikshëm dhe më pas të vendosë ekzekutimin e tyre nëse plagosja nuk shmang pasojat e mundshme.3 femijete çiftit nga Shqipëria ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes, kur një efektiv 23-vjeçar i policisë qëlloi 40-vjeçaren me armë zjarri në zemër1 muajpritet të zgjasë hetimi i brendshëm që filloi ndaj punonjësit të policisë, që akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj gruas shqiptareI dënuari politik, që kërkoi shpresë për fëmijët në SHBASHBA – Zyber Selimaj është 65 vjeç dhe kryente një punë të thjeshtë deri atë ditë kur policia vrau gruan e tij. Sipas mediave amerikane, i shoqi i gruas së vrarë është një ish i dënuar politik që vuajti 22 vite burgim në Shqipëri. Pasi mbaroi dënimin Zyber Selimaj emigroi në SHBA bashkë me gruan dhe fëmijët në kërkim të shpresës. Ai tani ka mbetur i vetëm dhe duhet të kujdeset për fëmijët e mitur që për shkak të burgimit politik në vendlindje i ka në moshë të mitur nga 5 deri në 11 vjeç. Pavarësisht moshës dhe problemeve me të cilat përballet ai tani, Zyber Selimaj nuk ka pushuar së denoncuari në media dhe në polici vrasjen e bashkëshortes. Ai ka thënë se, policia nuk tentoi të parandalonte veprimet e Deshira Selimajt me elektroshok, aq më tepër që sipas tij, gruaja nuk kishte kryer asnjë tentativë veprimi me thikë. Pas denoncimeve nga bashkëshorti i viktimës Departamenti i Policisë Henderson, Nevada, SHBA, ka ndryshuar disa fakte të ngjarjes ndryshe nga çfarë ishte deklaruar ditën kur u vra 40-vjeçarja, më 12 shkurt. Veç kësaj, gjoba që u vendos nga policia ndaj Zyber Selimajt nga 650 dollarë që ishte para se atij t’i vrisnin gruan, pas asaj që ndodhi gjoba ka rënë në 67 dollarë për mosmbajtje të rripit të sigurimit. Më 12 shkurt 2008 policia kishte pretenduar se kishte qenë ajo që kishte lajmëruar gruan në telefon për ndalimin e të shoqit të saj, mirëpo dy ditë më parë në një dalje para medias autoritetet pranuan se viktima ishte lajmëruar nga i shoqi në telefon. Për shkak të kontradiktave mes versionit të policisë dhe atij që jepet nga dëshmitarët dhe të afërmit e viktimës, një hetim shtetëror ka filluar ndaj dy policëve që ishin në shërbim në vendin ku u vra gruaja shqiptare. Hetimi pritet të përfundojë në ditët e para të muajit prill kur shumë enigma të ngjarjes mund të marrin përgjigje përfundimtare.