E Hënë, 2 Nëntor 2026

Do jepen çmime të tjera për legalizimet

11/02/2005  Ligji përcakton se Komiteti Shtetëror duhet të paraqesë një metodikë me vlerat reale

"Vlerësimi i pronës bëhet sipas tregut në çastin e kryerjes së legalizimit"

Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka hedhur dje idenë për paraqitjen e një metodike të dytë për vendosjen e çmimit të tokës në procesin e legalizimeve të ndërtimeve të paligjshme. Madje, gjatë debateve në seancën e parlamentit, Dokle është shprehur se do të jenë vetë deputetët, që do të vendosin se si do të jetë metodika e vendosjes së çmimeve. Kjo ka çoroditur pjesën më të madhe të deputetëve, që janë shprehur se Komiteti Shtetëror i Pronave në përcaktimet e bëra vendos se cili do të jetë çmimi për tokën bujqësore, truall dhe tokën turistike. Ndaj dhe nuk ka pse të bëhen dallime për legalizimin ose jo, pasi ndërtesa do të ligjërohet mbi një tokë bujqësore, ose truall, dhe çmimet nuk kanë pse të ndryshojnë. Madje, ata janë shprehur se kjo është e përcaktuar qartë dhe në ligjin për legalizimin e zonave informale. Në nenin 10 të këtij ligji thuhet se çmimi i tokës në procesin e legalizimit do të jetë ai i tregut.

Ligji

"Vlerësimi i pronës bëhet sipas vlerës së tregut në çastin e kryerjes së legalizimit. Vlera e kësaj prone bëhet në përputhje me metodologjinë e propozuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit të Pronave me vendim të Kuvendit", thuhet në nenin 10. Në këtë mënyrë, në rast se Qeveria vendos që zonat informale do të jenë troje, çmimi që do të paguhet do të jetë sipas metodikës së paraqitur. Por, duke përfituar nga rasti se në ligj nuk është vendosur se çmimi do të jetë sipas metodikës për ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, është krijuar dhe ideja për paraqitjen e një metodike të dytë. Kjo dhe për faktin se në zonat informale ka mungesë tregu dhe të infrastrukturës. Ndërsa do të jetë shteti, që do të zgjidhë konfliktet e mundshme mes ish-pronarëve dhe ndërtuesve. "Kur sipërfaqja e zënë me ndërtim është pronë private, legalizimi i ndërtesës bëhet sipas kalimit të pronës mbi sipërfaqen e zënë nga pronari ndërtues i banesës, në përputhje me dispozitat e kodit civil.

Në rastet kur ky kalim nuk realizohet, pronari i sipërfaqes së zënë nga ndërtimet kompensohet në përputhje me ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Pas kësaj veprohet me legalizimin sipas rasteve kur prona është e shtetit", thuhet në ligj.

Ish-pronarët

Ndërsa ndërtuesit do ta paguajnë tokën e zënë si truall, ish-pronarët e këtyre zonave do të kompensohen me çmimin e tokës bujqësore. Kjo sepse ish-pronarët marrin kompensim me çmimin që ka toka në momentin kur hyn në fuqi ligji. Ndaj, pa marrë një vendim Këshilli i Rregullim Territorit të Republikës së Shqipërisë, për kalimin e zonave informale në tokë truall, ish-pronarët do të marrin kompensimin për tokë bujqësore. Por e kundërta ndodh me ndërtuesit. Procesi i legalizimit do të nisë pasi KRTRRSH të marrë vendimin për caktimin e zonave informale që do t'i nënshtrohen legalizimit.Koja, ekulilibër

Socialistët theksojnë se duhet gjetur ekuilibri mes çmimit për legalizimet dhe kompensimit të ish-pronarëve. "Deklarata të tilla, siç janë ato të LSI-së dhe PD-së, që kërkojnë tokë falas për banorët dhe pastaj kompensim me çmimin e tregut të ish-pronarëve, janë krejtësisht në ajër dhe abuzive, sepse nuk dihet ku do të dalin këto para kur nuk do të veprohet në mënyrë të ekulibruar. PS-ja pretendon që të jetë parlamenti, ai që të vendosë për këtë çështje për të mos vazhduar debatin për çmimet. Çështjet e truallit të banorëve, të cilët kanë ardhur dhe janë vendosur në këto zona dhe çështja e kompensimit të pronarëve janë krejtësisht të ndryshme me njëra-tjetërn dhe që në ligj janë të shprehura qartë. Ka disa burime, sikurse shteti operon gjithmonë për kompensimin e ish-pronarëve nga fondi i të ardhurave. Një nga këto është dhe Buxheti i Shtetit, por ka dhe disa burime të tjera, sikurse ka dhe forma të ndryshme kompensimi. Të gjitha janë të përcaktuara në ligjin për kthimin dhe kompesimin e pronave, dhe tjetra në ligjin për legalizimin".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›