E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hashashi i Vlorës: “pendohen” dy, i nënti bie në pranga

11/02/2005  Dëshmitë dhe gjurmët e gishtave në qeset e drogës, çojnë në qeli 21-vjeçarin Arjan Hysenaj

TIRANË – Hetuesit antimafia të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, organizuan dje operacionin e arrestimit të personit të nëntë të kërkuar, për trafikimin e 312 kileve hashash nëpërmjet portit të Vlorës. Sasia e narkotikut është kapur nga kontrolli i portit në qytetin jugor, në datën 9 janar, thuajse një muaj më parë. Trafikantët po përpiqeshin ta kalonin narkotikun nga porti jugor i Vlorës në drejtim të Italisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vënë në pranga dje 21-vjeçarin Arjan Hysenaj, me akuzën e bashkëpunimit në trafikimin e 312 kileve hashash.

Hetimi

Jo vetëm sasia e madhe e drogës tregonte për hetuesit një numër të madh trafikantësh. Në qeset ku ishte paketuar droga, u gjetën shenja të më shumë se dhjetë personave, nëntë prej të cilëve hetuesit e Krimeve të Rënda kanë arritur t'i venë në pranga. Sipas hetuesve, i arrestuari i djeshëm ka patur rolin e bashkëpunëtorit në trafikimin e narkotikut. Ai është marrë në pyetje deri në orët e vona të mbrëmjes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Aksioni është organizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, nga Prokuroria e Krimevë të Rënda, Drejtoria e Krimit të Organizuar në Ministrinë e Rendit dhe policia e Vlorës. Sipas burimeve nga kjo e fundit, i dyshuari është identifikuar me anë të personave të tjerë të arrestuar më parë për trafikimin e hashashit. Dy prej tyre kanë dhënë dëshmi të vlefshme për hetimin, ndërsa të tjerët i kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre.

Zbulimi i drogës

Një maune me 312 kile hashash mundi të kalonte kontrollin e policisë në portin e Vlorës dhe të drejtohej te trageti i linjës së Barit. Ai nisej në datën 9 janar 2005 dhe, nëpërmjet tij, pronari shqiptar dhe italian i drogës kishin planifikuar ta shisnin narkotikun në tregun italian. Gjatë kontrollit teknik, ekspertët e portit kanë vënë re çatinë e karrocerisë së maunes, e cila ishte çarë. Qeni antidrogë, i cili është çuar nga policia menjëherë në vendin e ngjarjes, ka zbuluar hashashin mes ngarkesës me qese plastike. Pas zbulimit të ngarkesës, policia arrestoi shtetasit Edmond Papa, shofer, Ilia Simoni, bashkëpronar, Roberto Altobeli, bashkëpronar, Ernis Ismaili, ngarkues, Artan Sadiku, roje, Ervin Gërbi dhe Erjon Seferi. Dje ka rënë në pranga edhe Arjan Hysenaj, i nënti i akuzuar. Pronari italian dhe shqiptar i drogës kanë edhe një fabrikë të prodhimit të qeseve plastike në Vlorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›