Dosja “Irena”, hetim nga grup prokurorësh
11/02/2005 TIRANË –Hetimi i zhdukjes së Irena Selit, gruas 39-vjeçare është nga të parat raste, kur Prokuroria shqiptare vë në jetë hetimin kolegjial. Burime nga organi hetimor për zhdukjen e Irena Selit, thanë se prania e katër prokurorëve në hetimin e kësaj çështje është bërë me qëllim ndërtimin e një hetimi kolegjial. Në këtë praktikë hetimesh, prokurorë të veçantë kryejnë hetime për pjesë dhe pista të veçanta të ngjarjes. Gjatë hetimit çdo vendim i grupit të prokurorëve bazohet në këshillimin kolegjial. Kjo praktikë cilësohet nga vendet evropiane si një mënyrë e hetimeve të suksesshme dhe praktikave që shmangin mundësinë e ndikimit të akuzës nga palët. Hetimi kolegjial për zhdukjen e Irena Selit, është një praktikë e rrallë e ndjekur nga drejtësia shqiptare. Sipas praktikës së Prokurorisë shqiptare, hetimi kolegjial është aplikuar vetëm në rastet kur zbulimi i ngjarjeve cilësohet mjaft i vështirë dhe i cilësisë së veçantë. Dosjet për të cilat fillojnë hetimet kolegjiale, bazuar në analizat paraprake, kërkojnë veprime të shumta hetimore, të cilat mund të kryhen në kohë vetëm nga një grup prokurorësh. Në praktikën e zakonshme të hetimeve, ngjarjet penale hetohen nga një prokuror, i cili drejton grupin e hetuesve dhe të oficerëve të policisë gjyqësore. Ndërsa për rastin e zhdukjes së 39-vjeçares Irena Seli, janë katër prokurorë që kryejnë hetimet. Verifikimet dhe investigimi përshfshin bashkëpunimin me homologët ndërkombëtare në SHBA dhe Gjermani. Hetuesit nuk kanë ende një pistë të saktë për ngjarjen. Burimet nga Prokuroria kanë pohuar se ditët e fundit janë zbuluar disa rrethana të reja, të cilat pritet se do t'i japin drejtim hetimeve të filluara për fatin e gruas së zhdukur të Agim Mushës, pronarit të kompleksit “Bruno” në Tiranë. Irena Seli u zhduk ditën që udhëtoi nga Gjermania në Shqipëri, me bashkëshortin e saj, në datën 16 dhjetor 2004.