LSI: Ndryshoni ligjin për legalizimet
11/02/2005 Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar dje abrogimin e ligjit për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme. Sipas tyre, nuk është e drejtë që ndërtuesit të vuajnë pasojat e shtetit duke paguar tokën e zënë sipas çmimeve të tregut. Sipas Ilir Metës, ata kanë marrë tokën sipas ligjit të vitit 1993 ndaj dhe duhet të paguajnë sipas atij ligji. "Kemi ndjekur këto ditë me vëmendje të madhe garën PD-PS, për të pastruar sa më parë ndërgjegjen nga dështimi i turpshëm, në të ashtuquajturin “proces legalizimi të zonave informale”. Autorët e ligjit, të cilët vetëm 2 muaj më parë e konsideronin atë si “një arritje e madhe konsensuale”, tashmë kanë filluar llogaritë e votave, duke harruar plotësisht fanatizmin me të cilin mbronin projektin e tyre antinjerëzor", tha Meta. Ai shtoi se, meqenëse tashmë llogaritë elektorale i kanë detyruar të dy palët të rishikojnë qëndrimet e tyre, duke hedhur në tregun mediatik propozime nga më të ndryshmet, që duke luajtur me çmimin e tokës synojnë thjesht të mashtrojnë qytetarët hallexhinj në shkëmbim të disa votave. "Jam i detyruar të përsëris atë që kemi theksuar në këtë sallë ditën e votimit të ligjit aktual: e vetmja mundësi për të realizuar një proces të vërtetë legalizimi është abrogimi i plotë i ligjit në fuqi dhe miratimi i një ligji të ri, që i jep zgjidhje jo vetëm çmimit të tokës, por edhe shumë mangësive të tjera, të cilat e bëjnë këtë ligj të papranueshëm. Vetëm miratimi i një ligji të ri do t'i jepte fund diskriminimit të shqiptarëve, pasi ligji nuk zgjidh aspak problemin e legalizimit, sepse nuk zgjidh problemin e pronësisë mbi tokën, truallin-parcelë ndërtimore; përcaktimi ligjor se toka paguhet me çmimin e tregut në momentin e legalizimit e bën atë të pazbatueshëm". Ndaj, Meta shtoi se "qëndrimi ynë lidhur me këtë çështje ka qenë dhe mbetet i palëkundur. LSI mbështet çdo iniciativë që do të realizojë; legalizimin e plotë të të gjitha objekteve pa leje, të ndërtuara për nevoja banimi dhe shërbimesh në zonat suburbane gjatë periudhës së tranzicionit. Ligji të japë zgjidhje të plotë dhe përfundimtare për të gjitha këto ndërtime, pavarësisht nga fakti nëse ato ndodhen të shkëputura nga këto zona, pasi në vlerësimin tonë procesi i legalizimit dhe mundësitë financiare të shtetit për të realizuar plotësisht këtë urbanizim. Legalizimi nuk mund të jetë luks për disa qytetarë me fat, objektet e të cilëve nuk prishen apo nuk ridimensionohen nga studimet urbanistike në të ashtuquajturat “zonat informale”. Në vlerësimin tonë, legalizimi duhet të shtrihet mbi të gjitha objektet e ndërtuara dhe në rastet kur duhet të ndërhyet për zbatimin e studimeve urbanistike (urbanizimin e këtyre zonave), pronarëve që u shkatërrohen banesat t’u njihet e drejta e dëmshpërblimit apo trajtimit me banesë nga ana e shtetit".